Atmosfera e bukur dhe rikthimi në stadiume i tifozëve kanë ndikuar pozitivisht në Euro 2020. Po jo çdo gjë ka funksionuar siç duhet në këtë turne, pasi disa episode e kanë zbehur sadopak madhështinë e kompeticionit. 

Në sfidën e djeshme Hungari-Francë, futbollistët francez kanë rënë pre e thirrjeve raciste në stadiumin “Pushkash Arena”. Hungaria është i vetmi shtet i cili ka hapur stadiumet me kapacitet të plotë dhe në sfidën e djeshme ishin të pranishëm rreth 60 mijë tifozë. 

Gjatë ndeshjes, drejt sulmuesit Kylian Mbappe ka pasur thirrje dhe imitime majmunësh, duke tallur origjinën e tij, pasi babai i Mbappe është nga Kameruni.

Gjithashtu, pre e thirrjeve raciste ka rënë dhe Benzema i cili e ka nënën me prejardhje algjeriane. Kjo nuk është hera e parë për tifozët hungarez, pasi dhe në sfidën ndaj Portugalisë ndërmorën thirrje kundër Kristiano Ronaldos.

Mediat franceze raportojnë se UEFA ka hapur një hetim për këtë çështje pasi vet Mbappe është ndjerë i bezdisur dhe e ka shprehur shqetësimin e tij pas ndeshjes. Nuk dihet nëse do të ketë një ndëshkim kundrejt këtyre veprimeve, por racizmi është bërë një problem mjaft i madh në futboll.

fax web