Kryeministri Edi Rama tha se vota për kandidatin për President të ri të vendit, Bajram Begaj në Kuvend, pasditen e të shtunës, do të jetë unanime nga ana e Partisë Socialiste.

Ky ishte një “mesazh i prerë” për deputetët e pranishëm në mbledhjen e grupit parlamentar, pasi Rama tha se do të votohet “në unanimitet të plotë e s’ka nevojë të diskutojmë për këtë”.

Rama ndër të tjera zbuloi se ka pasur deputetë socialistë që nuk kanë marrë pjesë në procesin e propozimit të tre emrave me zarfe për kandidatin për president.

Ai iu përcolli dhe një mesazh këtyre deputetëve.

“Falënderoj çdo deputet e deputete. Më vjen keq për ndonjë deputet apo deputete që nuk u përfshi në këtë proces duke menduar se zarfet janë punë për mosha të reja dhe jam i bindur që herën tjetër të gjithë do të përfshihen se është e qartë se ku çon procesi.

Por pavarësisht nga kjo jam i bindur që dhe ndonjë që nuk u përfshi në fillim e gjen veten te kandidatura e Bajram Begajt për të cilën grupi do votojë në unanimitet të plotë e s’ka nevojë të diskutojmë për këtë në aspektin e vendimmarrjes politike për votimin e presidentit të ri të Republikës”.

Gjatë fjalës në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, Rama tha se procesi i diskutimit për kandidatin për President, që solli në propozimin e Bajram Begajt, nuk ka qenë i lehtë. Rama tha se kandidatura e PS duhet të plotësonte kërkesa shumë specifike.

“Ajo që mund të shtoj është thjesht të falënderoj të gjithë anëtaret e grupit parlametar për kontributin e dhënë në këtë proces.

Një proces që për natyrën e vet është jo i lehtë, për shkak se si e kemi diskutuar në më shumë se një rast bëhet fjalë për të identifikuar një figurë e cila do i përmbushë kërkesa shumë specifike por në të njëjtën kohë për të garantuar edhe respektin dhe mos cënimin e të gjithë kandidatëve potencialë në një proces diskutimi që kthehet në një thashethemnajë e merr rrugët e pazarit mediatik”.