Anëtarët e KAS janë mbledhur për të shqyrtuar dy kërkesat e Foltores dhe PD zyrtare, të cilat kërkojnë regjistrimin për zgjedhjet lokale të 14 Majit. Megjithatë, sot nuk pritet që të ketë një vendim se cila prej dy PD-ve do të regjistrohet megjithëse grupimi i Sali Berishës nuk ka shpresa.

KQZ, në bazë të të gjitha hallkave, po analizon të gjitha kërkesat që janë depozituar nga të dyja grupimet. Siç raporton gazetarja Erneta Shevroja, ajo që pritet sot është një datë se kur do të merret vendimi nga ana e KAS sa i përket regjistrimit të PD në zgjedhjet e 14 Majit.

Ditën e sotme, KAS është duke analizuar të gjitha kriteret ligjore të të dyja kërkesave se cila nga grupimet përmbush ligjit për t’u regjistruar. Sakaq, ditën e djeshme u caktuan edhe relatorët që do të shqyrtojnë kërkesat e dy grupimeve. Ilir Rusmali do të gjykojë ankimin e Berishës.

Vota e ish ministrit të drejtësisë është përcaktuese për fatin e ish shefit të tij, por edhe të Bashës gjithashtu. Edhe PD-ja zyrtare kërkoi nga KAS që demokratët të regjistrohen vetëm me firmën e Alibeajt, duke e hequr çështjen nga duart e Celibashit i cili kërkoi firmën e Bashës.

Kërkesa e Alibeajt ka për relator Koli Belen. Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve është një organ kolegjial me 5 anëtarë. Tre janë emëruar nga Partia Socialiste, mes të cilëve një është Ilir Rusmali, ish ministër i PD. Dy të tjerë i takojnë opozitës, sot njëri i pozicionuar pranë Bashës e një pranë Berishës.

Vendimi për ta regjistruar ose jo PD-në pa firmën e Bashës, duhet mbështetur me të paktën 3 vota në KAS.