Reshjet e dendura të shiut në Kinën jugore të mërkurën, 23 mars ndaluan kërkimet për viktima dhe kutitë e zeza të informacionit të fluturimit që mund të tregojnë pse aeroplani “Boeing 737” me 132 pasagjerë  në bord u rrëzua 2 ditë më parë.

Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, byroja lokale e motit tha se kishte rreziqe të rrëshqitjeve të dheut, njoftoi televizioni shtetërore.

Moti i lagësht parashikohet të zgjasë për pjesën tjetër të javës.

Fluturimi MU5735 ishte rrugës nga qyteti jugperëndimor i Kunming-ut për në Guangzhou në bregdet, kur avioni Boeing 737-800 u rrëzua papritur afërsisht në kohën kur duhej të ulej.

Shkaku i rrëzimit ende nuk është përcaktuar, ndërsa autoritetet e aviacionit paralajmërojnë se hetimi i tyre do të jetë shumë i vështirë për shkak të dëmtimit të rëndë të avionit.

Të afërmit e dëshpëruar dhe të pikëlluar të njerëzve që kishin qenë në bord vizituan vendin e përplasjes të mërkurën. Midis tyre ishte një pensionist me mbiemrin Zhang nga Shenzhen, sytë e të cilit u mbushën me lot teksa i tha Reuters se nipi i tij ishte në atë fluturim.

“Shpresoj se vendi mund ta hetojë plotësisht këtë çështje dhe të zbulojë nëse ishte faji i prodhuesit apo ishte një problem mirëmbajtjeje,” tha Zhang.

Asnjë nga 132 personat në bord nuk u gjet i gjallë dhe shpresat për të mbijetuar janë të pakta.