Një qendër formimi për specialistët e trashëgimisë kulturore, që ka të bëjë kryesisht me formimin e të rinjve arkeologë e arkitektë në restaurim, është një prej pikave të protokollit të Ministrisë Shqiptare të Kulturës me Italinë. Përvoja italiane në këtë fushë do të shtrihet edhe në bashkëpunimin me privatin.

Në një takim të ministres dhe ambasadës italiane u fol edhe për një fond për trashëgiminë që kanalizon investimet në mënyrë efiçente dhe pjesëmarrjen e disa firmave shqiptare në Panairin Ndërkombëtar të restaurimit në Bari dhe javën e Restaurimit në Napoli.

Ambasadori italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci, tha se : “Është një projekt i rëndësishëm nga instituti ynë për tregtinë në bashkëpunim me ‘Asorestauro’ dhe Panairin e Ferrarës. Këtu në Shqipëri, por edhe në të gjithë botën, kuptohet se sa sektori publik dhe ai privat mund dhe duhet të bashkëpunojnë sepse kultura është një përçuese e mrekullueshme për zhvillimin ekonomik”.