Reshjet e dendura të shiut që kanë nisur prej mëngjesit të sotëm në zonën e Lezhës, ka bërë që shumë pushues vendas e të huaj të mbledhin plaçkat dhe të largohen nga zonat bregdetare, ku ato kishin zgjedhur të pushonin këtë fundjavë.

Duket se ndikim kanë pasur edhe parashikimet e meteorologëve, të cilët bënë me dije se duke filluar nga dita e sotme e për tre ditë me radhë, i gjithë vendi, e sidomos zona e Lezhës do të goditen nga reshje të forta shiu dhe shtrëngata.

Si pasojë e largimit të pushuesve, në të gjitha rrugët hyrëse dhe dalëse të qytetit të Lezhës është krijuar një radhë e madhe automjetesh, kryesisht në dalje, duke bërë kështu që trafiku të shtrihet për disa kilometra.

Sipas burimeve të ‘Fax News’, shumica e pushuesve janë nga Kosova, por nuk mungojnë edhe ato nga qytete të tjera të Shqipërisë, kryesisht nga Tirana.

Si pasojë e situatës së krijuar, Policia Rrugore ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e trafikut dhe lëvizjes së mjeteve.

fax