Teksa është duke folur në lidhje me buxhetin e Arsimit për vitin e ardhshëm, kryeministri Edi Rama ka premtuar rritje me 40% të pagave për mësuesit, gjatë mandatit të tretë qeverisës.

Në fundin e 4 viteve, Rama tha se arsimtarët do të kenë një rritje të konsiderueshme të pagave të tyre, e cila do të bëhet në mënyrë graduale, duke nisur që prej vitit të ardhshëm.

Rama vuri theksin gjatë fjalës së tij dhe te rritja e kapaciteteve në laboratore dhe pasurimi i tyre, si dhe te transporti i garantuar për të gjithë fëmijët që shkollohen larg vendbanimit të tyre.

“Vijon rritja e pagave për të gjithë mësuesit dhe projeksioni i mandatit të tretë është që pagat të rriten pa diskutim edhe 32%, por mundësisht të realizojmë objektivin e rritjes 40% të tyre.

Kjo lidhet jo vetëm ne ç’ka dimë dhe planifikojmë, por edhe ç’ka ne nuk e dimë dhe mund të na shfaqet përpara. Çdo vit do të jetë i njëjtë me rritje të vazhdueshme të pagës për ju duke nisur që nga 2022.

Vendi i punës do të bëhet sipas meritës, dhe jo sipas bindjes politike.

Do të sigurojmë transportin për të gjithë fëmijët që e kanë shkollën larg vendbanimit të tyre”, u shpreh mes të tjerave Rama në konferencë.

“Duhet të ketë rritje të investimeve në logjistikën e laboratorëve, ne duhet ti japim një shtysë të re të gjithë së bashku infrastrukturës. Është detyra e të gjithëve ne, që ti japim shtysë teknologjisë, duhet ti shtyjmë fëmijët mbi avantazhet që ka teknologjia, aty ku mësojnë gjuhën shqipe, të mësojnë dhe gjuhën angleze dhe atë të kompjuterit. Është gjuha e tregut më të madh global, që mund të hysh pa qenë e nevojshme fare që të dalësh nga shtëpia”, tha më tej Rama.