Covid 19 prek edhe të penduarin e drejtësisë Luftar Reçi, i cili është duke vuajtur dënimin në burgun e Drenovës

Reçi është personi që ka dhënë detaje për 2 vrasje të bujshme ku përfshihej Emiljano Shullazi dhe Lulzim Berisha, ndërsa mësohet se është infektuar me Covid para pak ditësh. Ditën e djeshme ai është transportuar drejt spitalit të Korçës aty ku po merr mjekim më të specializuar.

Në burgun e Drenovës ka ende të prekur me Covid por shifrat nuk bëhen me dije nga ky institucion. Më herët 3 prej të dënuarve janë dërguar në Tiranë për shkak të gjendjes shëndetësore të ndërlikuar.

Reçi pretendon se ka dijeni dhe ka thënë emrat e personave të përfshirë në ekzekutimin e biznesmenit Vajdin Lame dhe rivalit të Lul Berishës, Klodian Saliu. Në dosjen e SPAK, Reçi prezantohet si i ‘penduari’ i grupit, që ka pranuar me dëshirë të plotë të rrëfejë ngjarjet e 26 dhe 27 shkurtit të vitit 2005, ku sipas tij, ai bashkë me Plaurent Dervishajn, Lulzim Berishën, Viktor Ymerin, Indrit Taullain dhe Emiljano Shullazin, kanë realizuar atentatet ndaj Lamajt dhe Saliut.