Në Emisionin “Debat &Transparencë” moderuar nga Gazetari Fatmir Popja në Televizionin Skampa, Deputetja Rudina Hajdari deklaroi se ajo do jetë kandidate dhe kryesuese e listës së kandidatëve për deputetë të Nismës Thurje në Qarkun e Elbasanit. Hajdari tha se strukturat e kësaj lëvizje politike tashmë janë duke u ngritur në të gjitha Bashkitë e këtij Qarku dhe në zgjedhjet e 25 Prillit 2021 do konkurohet me figura me integritet dhe me reputacion në komunitet.

Zyrtarizimin e kandidimit të saj në Qarkun e Elbasanit e ka bërë pikërisht nga ky qytet ku Rudina Hajdari ka zgjedhur të konkurojë përballë mjaft emrave të njohur e me mjaft peshë të politikës shqiptare. Por pavarësisht se gara për fitimin e mandatit të deputetit në Qarkun e Elbasanit duket një mision i vështirë, Rudina Hajdari beson se elektorati i Qarkut të Elbasanit do vlerësojë përpjekjet dhe kontributin e saj për vendosjen e shtetit të së drejtës dhe demokratizimin e vendit sipas standardeve europiane.

Gjatë Emisionit “Debat &Transparencë” Deputetja Rudina Hajdari foli edhe për rikthimin disa vite më parë nga Amerika, rrugëtimin e saj të vështirë në politikë,”divorcin” me Partinë Demokratike, partinë e parë opozitare të drejtuar fillimisht nga babai i saj Azem Hajdari. Ajo ka analizuar punën e bërë në Parlamentin e braktisur nga PD &LSI  si dhe përshirjen në Partinë e re “Nisma Thurje” .