Vendimi i Putin për mobilizimin të pjesshëm ushtarak në lidhje me luftën në Ukrainë, ka bërë që të ketë një bum kërkesash për tu larguar nga vendi.

Meshkujt dëshirojnë ti shpëtojnë me patjetër rekrutimit ushtarak. Fluturimet direkte të planifikuara për këtë ditë nga Moska për në Stamboll, Jerevan dhe Baku, kryeqytetet e Turqisë, Armenisë dhe Azerbajxhanit, u shitën plotësisht. Po ashtu brenda disa orësh, fluturimet për në Kazakistan, Uzbekistan dhe Kirgistan gjithashtu ndaluan së shfaquri në faqet e internetit.

Lajmi u bë i ditur nga gazeta e pavarur ruse Meduza në kanalin e saj në Telegram. Disa rrugë lidhëse, duke përfshirë atë nga Moska në Tbilisi, gjithashtu nuk ishin të disponueshme. Fluturimet më të lira nga Moska në Dubai kushtojnë më shumë se 300,000 rubla (pothuajse 5,000 euro), që është rreth pesëfishi i pagës mesatare mujore

Sipas agjencisë Rbc, tre rrugët (më të shpejtat për të lënë vendin dhe për të shpëtuar nga rekrutimi në ushtrinë ruse) me trena dhe autobuza , kanë vende në dispozicion vetëm nga e premtja, por me një kosto prej rreth një mijë dollarësh për njeri.

Miliona rusë u zgjuan të mërkurën dhe kuptuan se ata mund të thirreshin për t’u bashkuar me luftën e vendit dhe pushtimin e territorit ukrainas. Për gati shtatë muaj, shumë rusë thjesht u përpoqën të injoronin pushtimin e Ukrainës. Tani, për shumë familje, lufta po troket në pragun e tyre.

“Kjo është ajo nga e cila të gjithë kemi frikë kur filloi lufta,” tha një nënë, e cila beson se djali i saj mund të thirrej.

Sigurisht që ka disa që deklarohen të gatshëm për të luftuar. Një burrë rreth të 30-ave me përvojë ushtarake i tha mediave se e konsideron detyrën e tij patriotike të shkojë në ushtri nëse thirret.

 “Dua të mbështes vendin tim,” tha ai.

Deri më tani, Rusia nuk i ka mbyllur kufijtë e saj për të parandaluar të rinjtë që të ikin nga rekrutimi, por shumë besojnë se një veprim i tillë nuk do të vonojë shumë.

Videot që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë radhë makinash në kufirin rus me Gjeorgjinë .

Trafiku i automjeteve që mbërrijnë në kufirin lindor të Finlandës me Rusinë u rrit gjatë natës, njoftoi roja kufitare finlandeze herët në mëngjes, duke shtuar megjithatë se situata ishte nën kontroll.

Një total prej 4,824 rusë mbërritën në Finlandë përmes kufirit lindor dje, nga 3,133 një javë më parë. Roja kufitare është në gatishmëri në nëntë pika kontrolli, vuri në dukje ai gjithashtu në deklaratat që bëri për Reuters./abcnews.al/