Në ditën e tetë të sulmeve të Rusisë kundrejt Ukrainës, Moska ka arritur të marrë nën kontroll më shumë zona në jug të vendit duke përfshirë qytetet me dalje në Detin e Zi dhe atë Azov. OKB thotë se mbi 1 milionë ukrainas janë larguar nga vendi.

Forcat ruse kanë përparuar më në jug të Ukrainës duke marrë nën kontroll Detin e Zi e më konkretisht qytetin e Khersonit.

Kjo konsiderohet si një fitore e rëndësishme për Moskën pas një sërë pengesash ushtarake.

Ushtria ruse ka rrethuar gjithashtu rrethimin e Mariupolit, një port strategjik në Detin Azov që ndodhet midis Krimesë dhe republikave separatiste të Donbasit, të cilat kontrollohen nga Moska.

Gjatë orëve të para të mëngjesit të së enjtes janë regjistruar disa shpërthime në qytetin e dytë më të madh në Ukrainë, Karkiv.

Disa ndërtesa policie dhe universitete janë bombarduar nga Rusia.

OSBE ka njoftuar se një anëtar i misioneve vëzhguese ka humbur jetën në Ukrainë.

Një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane tha se autokolona masive e mjeteve ushtarake ruse të grumbulluara në veri të Kievit ka ngecur për shkak të mungesës së karburantit dhe ushqimit.

Organizata e Kombeve të Bashkuara tha se mbi një milion refugjatë janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i sulmeve të enjten e kaluar.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi me shumicë dërrmuese 141 vota pro e 5 kundër për rezolutën që i kërkon Rusisë që të tërhiqet nga Ukraina.

Të mërkurën, Rusia raportoi shifrat e humbjeve të jetës për herë të parë që nga 24 shkurti.

Mbrojtja ruse tha se rreth 500 persona kanë humbur jetën në operacionin special në Ukrainë dhe se 1500 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Nga e mërkura ka nisur sekuestrimi i jahteve dhe vilave luksoze të miliarderëve rusë që zakonisht konsiderohen si oligarkë.