Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka folur ditën e sotme gjatë një mbledhjeje në selinë blu me drejtuesit e departamenteve të PD-së.

Berisha deklaroi se Shqipëria është në rënie të lirë, ndërsa tha më tej se problematikat në vend kanë nevojë për një përgjigje emergjente.

Sakaq, kreu i PD tregoi më tej se çdo ndërtim pa leje në vend paguan “gjobë” te policia nga 100 deri në 200 mijë euro, ndërsa tha se vendi është në një sistem gjobvënës.

Sipas tij para 2 vitesh Shqipëria zinte vendin e tretë në botë për ryshfetet, por tha se sot me siguri mban vendin e parë “me distancë të madhe”.

“Ka një rëndësi të jashtëzakonshme afrimi i qytetarëve dhe ekselencave, të gjithë atyre që duan të bashkohen me ju. Njerëz me kontribute, me ëndrra e perspektiva, atyre që kthehen nga jashtë me idealin fisnik për t’i shërbyer vendit të tyre por që këtu gjejnë mure të pakapërcyeshme. Pra duhet të bëjmë gjithçka që këto departamente të tërheqin e të përfshijnë elitën më të mirë të kombit. Kultivimi, tërheqja e një elite është kusht themelor për të ndryshuar këtë gjendje katastrofale ku ndodhet vendi sot. Shqipëria është në rënie të lirë. Shumë besojnë se kjo rënie nuk ndalet dhe shumë thonë se si do i përgjigjemi kësaj situate. Të gjitha janë pyetje të drejta, por përgjigja është se ne mund ta ndalim këtë situatë.

Këto problematika kanë nevojë për një përgjigje emergjente, secili nga ju krahas programit afat-gjatë duhet të ketë paketën e emergjencës sepse Shqipëria absolutisht po rrënohet. Shqiptarët para 2 vitesh zinte vendin e tretë në botë për ryshfetin, ju garantoj që sot duhet të jetë vendi i parë me distancë. Çdo ndërtim pa leje paguhet gjoba e policisë që shkon deri në 100 e 200 mijë, paguhen tatimet, taksat, etj. Shqiptarët janë në një sistem gjobvënie.

Nëse marrim arsimin, të gjitha format e përçmimit ndaj arsimtarëve janë sot në fuqi. Po bujqësia në shkatërrim progresiv, ne nuk kemi fusha të mëdha por kemi potencial bujqësor”, tha ai.