Sali Berisha ka mbledhur sot kryetarët e Degëve të Tiranës në selinë blu dhe është duke diskutuar me ta për organizimin e protestës së 7 korrikut. Vetë ai dhe organizatorët janë shprehur se i ka kaluar pritshmëritë dhe ka qenë ndër më të mëdhatë në vend.

Kryetari i PD ka ftuar në takim për bisedime të gjithë kryetarët e degëve të kryeqytetit dhe është shprehur se shpëtimi i Shqipërisë vjen vetëm nga Partia Demokratike, shoqëria civile dhe angazhimi i partive të tjera opozitare.

Nuk dihet nëse pas takimit të sotëm do të ketë protesta të tjera në vend, ama zëra nga selia blu kanë thënë se Sali Berisha mund të nisë dhe një tur takimesh në vend gjatë muajve të verës, për të mbajtur gjallë reagimin opozitar.

“Ju i keni parë zhvillimet në Sri Lanka. Populli përmbysi qeverinë. Mediat botërore e kanë krahasuar Shqipërinë me Sri Lankën. Unë them se në shumë aspekte ato ngjajnë si dy pika uji. Ajo që po ndodh në Sri Lankë ka të njëjtat shkaqe. Sri Lanka kishte para dy vitesh borxhin 91%, sot e ka 190%.

Shqipëria para një viti e kishte 81% dhe sot e ka 107%. Rritja e borxhit në Shqipëri është më e shpejt se në Sri Lanka. Atje paratë e vjedhura ishin futur nëpër valixhe në pallatin presidencial. Në Shqipëri janë futur në kontot bankare të të vdekurve”, u shpreh ndër të tjera Sali Berisha, kryetar i zgjedhur i PD.