Ish-kryeministri Sali Berisha ka thirrur një konferencë me gazetarët, ku ka prezantuar kandidatët e dalë nga primaret, të fitojnë edhe zgjedhjet e 6 marsit në 6 bashki.

“Falënderimin e parë e kam për të gjithë anëtarët që ushtruan dje të drejtën e votës dhe votuan të lirë për kandidatin që vlerësonin si më të mirin.

Një falënderim të përzemërt dua t’u bëj të gjithë atyre kandidatëve që e nderuan garën, e përballuan me dinjitet, ndershmëri dhe përkushtim dhe janë sot të vendosur sa ç’ishin dje, të punojnë për fitoren e PD-së në këto bashki.

Dua të falënderoj me mirënjohjen më të thellë kandiatët që janë këtu sot para jush, për punën e shkëlqyer dhe besimin që ata merituan nga anëtarësia e PD-së. U siguroj se do bëjmë gjithçka në mbështetje të tyre, që ata më 6 mars, të jenë qytetarët e parë të bashkive në të cilat garojnë.

Dua të falënderoj të gjithë ekipin, Komisionin e Rithemelimit, komisionin e procedurave zgjedhore, për punën e madhe që bënë në një kohë rekord të shkurtër, në realizimin e këtij procesi. Ju sigurisht i keni marrë vesh rezultatet e votimit, por unë do të doja që secili nga fituesit e garës së djeshme të thotë këtu para jush dy fjalë,” tha Berisha.