Deputeti demokrat Ervin Salianji i është vërsulur me ashpërsi sot, Enkelejt Alibeajt dhe grupimit të tij brenda grupit, që pas dështimit të të ashtuajturave negociata me qeverinë për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, vendosi të mos marrë pjesë fare në seancën parlamentare që mbahet pasdite për të votuar kandidatin e PS-së për President, Bajram Begajn.

Kritika e fortë për vendimin absurd të Alibeajt vjen, siç e thekson vetë Salianji në thelbin e akuzës së tij, sepse këtij grupimi “nuk iu dha pazar”.

Bojkoton parlamentin e zgjedhur nga populli ndërkohë që u ul këmbëkryq me të zgjedhurit nga Rama!- e nis shkrimin e tij Ervin Salianji. – Bojkotet kanë pas-sjellë pasoja shkatërruese për Partinë Demokratike!

Jemi në këtë situatë nga ata që iu përdrodhën politikës duke menduar që do përfitonin me bojkote. Vendimet pa zhvilluar më parë mbledhje grupi janë vendime individuale, çdo vendim i shpallur pa diskutime në grup, pa debat dhe pa vendim-marrje kolegjiale është nul!

Çdo funksion nuk është pronë private, secili prej nesh përfaqëson qytetarët! Nuk ka asnjë manovër që mbulon dot përgjegjësinë politike për dështimin, nuk na duhet të ulemi me Ramën përherë që përherë të themi sa i poshtër ishte!

Është naivitet vrastar dhe inat jopolitik të braktisësh institucionet nga mllefi që “nuk ju dha pazar” por u përdorën!

Si mund të propozohet bojkoti, mënyrë tipike lindore kur si parti luftojmë në emër të vlerave perëndimore!

E kam paralajmëruar që në fillim të procesit që kandidatin e kishte mbyllur Rama në zarf dhe do e nxirrte në fund siç edhe ndodhi.

Kam kërkuar me insistim që Partia Demokratike mos hynte në pazare, në tavolina joinstitucionale, por të ulej vetëm dhe vetëm nëse maxhoranca ilegjitime i jepte të drejtën e propozimit vetëm opozitës!

Sot pasi e dështuan atë pazar – negociatë a ka të drejtë publiku të mendojë se gjithçka u bë për interesa personale?

A ka qytetar që i jep dot shpjegim se si Partia Demokratike i jep kuorum dhe merr pjesë në seancat 5-minutëshe ku digjeshin raundet pa kandidatë dhe ku kuorumi duhej të ishte 84 deputetë?!

Si shpjegohet që Ramës iu dha ajo, që nuk e kishte dhe sot kërkohet bojkot dhe mospjesëmarrje në seancë për të dëmtuar në sytë e publikut opozitën?!

Është e papranueshme që t’u kërkohet gjithë deputetëve të bojkotojnë parlamentin, ndërkohē që i vetmi bojkot duhej të ishte ulja në tavolinën joformale të Ramës dhe të zgjedhurve të tij!