Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u kërkoi liderëve të NATO-s më shumë armë dhe para për t’u mbrojtur nga Rusia dhe paralajmëroi se ambiciet e Putinit shkojnë përtej vendit të tij. Ai nënvizoi se lufta e Moskës nuk është vetëm kundër Kievit, por edhe për të diktuar rendin e ardhshëm botëror.

“Nëse vërtet e përcaktoni Rusinë si kërcënimin tuaj kryesor, atëherë duhet të mbështesni plotësisht objektivin e saj kryesor dhe të parë. Kjo nuk është një luftë që po bën Rusia vetëm kundër Ukrainës. Kjo është një luftë për të drejtën për të diktuar kushtet në Europë, për atë se si do të jetë rendi i ardhshëm botëror. Kjo është arsyeja pse është absolutisht e nevojshme të mbështesni Ukrainën, dhe tani, me armë, financa dhe sanksione politike kundër Rusisë, të cilat do të ndalojnë aftësinë e saj për të financuar luftën. Ukraina ka nevojë për sisteme modern të mbrojtjes ajrore, dhe ju i posedoni ato. Duke na i dhënë ato ne, ju mund të thyeni plotësisht taktikat e Rusisë për të shkatërruar qytete dhe terrorizuar civilët ukrainas. Rusia nuk dëshiron të ndalojë në Donbas apo jug të Ukrainës. Qytet pas qyteti kërkon të përfshijë këdo në Ukrainë. Pyetja më pas do të ishte se kush mund të jetë shënjestra e radhës e Rusisë? Moldavia, vendet e baltikut apo Polonia? Përgjigja është të gjitha këto vende.”