Selia e PS është kthyer në skenë krimi këtë të hënë.

Ekspertët kanë mbërritur për të mbloedhur provat pas shpërthimit të molotovëve nga protestuesit.

Banderola dhe një pjesë e jashtme e godinës u përfshi nga flakët pas plasjes së njëpasnjëshme të molotovëve.

Gjithashtu nga shpërthimi u rrezikua edhe jeta e gazetarëve, protestuesve dhe operatorëve.

Opozita po mban protestën kombëtare të thirrur disa ditë më parë, ndërsa protestuesit kanë marshuar në disa institucione.

Ata kanë marshuar nga selia blu drejt Kryeministrisë, selisë së PS, Ministrisë së Brendshme, bashkisë së Tiranës dhe Kuvendit, duke hedhur Molotov dhe fishekzjarrë.

Ishte dënimi me 1 vit burg i Ervin Salianjit që nxiti opozitën për nisjen e një vale protestash dhe bojkoti në komisione e Kuvend.

Dy seancat e fundit në Kuvend u shoqëruan me tensione dhe përplasje të forta. Pasi kryeparlamentarja Elisa Spiropali njoftoi heqjen e mandatit të Salianjit, deputetët e opozitës bllokuan foltoren, e shkatërruan atë dhe hodhën sende në drejtim të saj.

Më pas ata morën karriget e tyre dhe i dogjën jashtë Kuvendit, ndërsa pati edhe debate deri në konfrontim fizik.

Opozita gjithashtu ka vendosur të bojkotojë të gjitha komisionet.

Gjykata e Lartë ka caktuar datën 15 tetor, ora 14:00, për shqyrtimin e kërkesës së ish-deputetit Ervin Salianji, për pezullim të ekzekutimit të dënimit me burg.

Top Channel