Aleati i Rusisë, Serbia ka marrë një ngarkesë gjysmë në fshehtësi nga Kina, gjatë një operacioni të kamufluar këtë fundjavë, bën me dije agjencia e lajmeve Associated Press.

Sipas ekspertëve të huaj dhe raportimeve në disa media, gjashtë avionë transporti Y-20 të Forcave Ajrore Kineze u ulën të shtunën në aeroportin civil të Beogradit. Sipas informacioneve, avionët kanë qenë të ngarkuar me sisteme raketore tokë-ajër HQ-22.

Avionët ushtarakë kinezë të maskuar si avionë mallrash u fotografuan në aeroportin Nikola Tesla të Beogradit. Ministria e mbrojtjes e Serbisë nuk iu përgjigj kërkesës së AP për koment.

“Prania e gjithë këtyre avionëve kinezë mbi Europë, është diçka e rrallë. Është një zhvillim i ri”, shkruan gazetar online “The Warzone”.

Për analistin serb Aleksandar Radiç “kinezët kryen demonstrimin e tyre të forcës”. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç e ka komentuar sistemin raketor si krenarinë më të re të ushtrisë serbe.

Në vitin 2020, zyrtarët amerikanë paralajmëruan Beogradin kundër blerjes së sistemeve kundërajrore HQ-22, versioni i eksportit i të cilit njihet si FK-3. Ata thanë se nëse Serbia me të vërtetë dëshiron t’i bashkohet Bashkimit Evropian dhe aleancave të tjera perëndimore, ajo duhet të harmonizojë pajisjet e saj ushtarake me standardet perëndimore.

Sistemi i raketave kineze është i ngjashëm me sistemet e raketave amerikane Patriot dhe ruse S-300, megjithëse ka një rreze më të shkurtër. Serbia do të jetë operatori i parë i raketave kineze në Evropë.