Duket se një sfidë e re, e rrezikshme, po qarkullon në platformën TikTok, për të cilën të rinjtë shqiptarë duhet të bëjnë kujdes.

Paralajmërimi vjen nga kryetarja e Autoritetit të Medias Audiovizive, Armela Krasniqi, e cila ka nxjerrë një njoftim në rrjetet e saj sociale për prindërit dhe adoleshentët. Sfida, prej së cilës, në Rumani kanë përfunduar në spital dhjetëra adoleshentë, me fraktura të rënda, quhet, “Sfida e Supermenit” dhe konsiston në hedhjen me njërën dorë përpara, njësoj si personazhi për fëmijë, Superman, për t’u kapur, ose jo, nga miqtë.

“Dhjetëra adoleshentë në Rumani kanë pësuar fraktura dhe trauma të rënda pas një tendence në TikTok të quajtur, ‘Sfida e Supermenit’.  Sfida qëndron tek hedhja përpara me një krah të zgjatur, si personazhi për fëmijë, Superman, për t’u kapur, ose jo, nga miqtë.

Nga “loja” e rrezikshme brenda një dite, kanë përfunduar në spital me trauma të rënda, mbi 20 adoleshentë.

Prindër bëni kujdes! Shpjegojuni fëmijëve tuaj rrezikun që fshihet pas tendencave të tilla online!

Fëmijë dhe adoleshentë, mos bini pre e sfidave të tilla. Përveçse rrezikoni shëndetin dhe shpesh jetën, nuk ka asgjë argëtuese në to”, shkruhet në paralajmërimin e bërë nga kryetarja e AMA-s.

Top Channel