Adem Statovci, përfaqësues i ekipit të zjarrfikësve të Aeroportit të Rinasit, pjesë e Kastrati Grup, ka dhënë detaje nga zjarri që ka rënë në një magazinë në afërsi të kthesës së Kamzës në Tiranës.

Statovci, i cili së bashku me një ekip prej 16 zjarrfikësish të specializuar kanë shkuar në mënyrë vullnetare në ndihmë të ekipit të zjarrfikëses së Tiranës, për të ndihmuar në fikjen e zjarrit.

Statovci tha se ekipi që ka mbërritur nga aeroporti i Rinasit ka mundësuar që futja e zjarrfikësve brenda të bëhet pa pasur nevojë për bombula në shpinë, por me oksigjen të lëvizshëm. Po ashtu ata kanë matur temperaturën që në ambientet e brendshme të magazinës shkon në 980 gradë.

Ai dha sinjale shprese se zjarri pritet të vihet nën kontroll gjatë ditës së sotme, ndërsa u përqafua nga familjarët e të riut Arjan Sala.

“Jemi tu bo gjithçka është e mundur për të dhënë ndihmën tonë, kemi ardhur me 16 çuna bashkë me paisje të specializuara. Ne jemi informuar prej mediave, kemi ardhur vullnetarisht pasi nuk na ka lajmëruar askush, jemi në varësi të Kastrati Group. Ne kemi ardhur me grup të specializuar, me mjetet që kemi ardhur këtu, janë të gjithë vullnetarë.

Paisja që kemi mundësuar ne është ajo që mundëson frymëmarrjen e vazhdueshm, pa pasur peshë në shpinë. Në krahasim me dje situata është shumë më e mirë, fuqia e zjarrit ka rënë në orët e vona, ne kemi qenë këtu deri në orën 12 të mbrëmjes.

Shumë materiale të ndezshme që kanë qenë në atë hapësirë, e vogël për atë material, ka qenë e tejmbushur me material, dhe qasja te zjarri është shumë e vështirë, të gjitha raftet e kanë bërë më të vështirë fikjen e zjarrit. Nuk kemi hyrë ende te zjarri në brendësi, besoj që brenda ditës së sotme, do të përfundojë fikja e zjarrit.

Në krahasim me dje kemi vatra më të vogla, po ende është me rrezik për zjarrfikësit.

Temperatura nga afër, ka qenë 980 gradë, ndërkohë që ne nuk kemi mundur që të arrijmë deri në qendër”, u shpreh Statovci.

Prej më shumë se 40 orësh vijon që të jetë aktiv zjarri i rënë në një magazinë në afërsi të kthesës së Kamzës në Tiranë, ku dyshohet se ka mbetur brenda 33-vjeçari Arjan Sala. I riu nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike që prej pasdites së të mërkurës, dyshohet se ka mbetur brenda në momentin e rënies së zjarrit, pasi ka nxjerrë prej aty disa prej punëtorëve të tjerë që ndodheshin në magazinat e biznesit privat.

Edhe pse zjarrfikësja mbërriti pranë magazinës që prej të mërkurës, ende në momentet që flasim nuk është mundur që të shuhet plotësisht zjarri, për shkak të mungesës së mjeteve, të posaçme, ndërkohë që dëmi pasuror i biznesit është kolosal.

Familjarët e Arjan Salës kanë shkuar sërish sot pranë magazinës, ku kërkojnë që të shtohen ekipet e shpëtimit, dhe thotë se përpjekjet për të hyrë brenda saj kanë qenë minimale. Në ndryshim nga dje, ata sot janë më të rezervuar sa i takon deklaratave dhe bëjnë përgjegjëse për situatën qeverinë dhe institucionet që nuk kanë ndërhyrë.

Faxweb.al