Koha me shi nxjerr në pah problematikat që kanë rrugët e shumë lagjeve të Tiranës. Gropat e mëdha krijojnë pellgje, duke vështirësuar qarkullimin e makinave dhe këmbësorëve. Ndërkohë banorët e kryeqytetit shprehen se premtime për fushatë ka pasur, por punë jo.

Rrugët e shumë lagjeve në kryeqytet kanë dalë jashtë fokusit të Bashkisë së Tiranës duke i lënë të degraduara për vite me radhë.

“Kodra e Priftit” është nga ato zona që nuk është vënë dorë e ku në kohë me shi, formohen pellgje të mëdha uji duke vështirësuar kalimin e automjeteve dhe banorëve.

“Kjo rrugë ka 20 vjet që nuk është vënë dorë në të, është si të me qenë pas Hënës dhe jo në mes të Tiranës.”

“Ja si është situata, nuk dalim dot me makina, si në Xhamajkë.”

“Para një viti erdhën dhe futën tuba uji, e bënë më keq seç ishte.”

Rregullimi i tyre mbetet vetëm në kuadrin e fushatave në prag zgjedhjesh dhe banorët e kësaj zone kanë një kërkesë për autoritetet.

“Të majtë dhe të djathtë njësoj janë, të mos vijnë fare për vota këtu se u bënë bajat.”

“Për fushata vijnë dhe hedhin rërë këtu dhe ikin. Atë e merr uji dhe e çon poshtë.”

Shqetësim për banorët dhe drejtuesit e makinave janë edhe disa lagje në zonën e Astirit.

Në kohë shirash ato bëhen thuajse të pakalueshme teksa autoritetet nuk kanë lëvizur asnjë gur për rregullimin e tyre.

Për vitin 2020 shpenzimet e bashkisë Tiranë për rrugët kanë pësuar rënie të ndjeshme në raport me një vit më parë, por sipas të dhënave të buxhetit në total për planin urbanistik janë planifikuar të shpenzohen rreth 1.27 miliardë lekë.

Ora news