Home AKTUALITET KULTURË Shoqëritë që keqtrajtojnë gratë, janë më të varfra dhe më pak të...

Shoqëritë që keqtrajtojnë gratë, janë më të varfra dhe më pak të qëndrueshme

19

Kostoja e mizogjinisë. Shtypja e grave nuk dëmton vetëm gratë, por edhe burrat, shkruan The Economist

“Një grua që i jep makinës do të vritet”, thotë sheiku Hazim Muhammad al-Manshad. Ai i thotë këto fjalë me qetësinë më të madhe, si të ishin krejt normale. Rregullat e pashkruara të fisit të tij, al-Ghazi, në Irakun e Jugut, janë fare të qarta. Një grua që i jep makinës mund të takojë një burrë. Ekziston mundësia që “të shkelet nderi i saj”. Kështu të afërmit e saj meshkuj do ta vrasin, me thikë ose plumb dhe do ta varrosin trupin e saj në një dunë rëre.

Sheiku ka ftuar mysafirë në shtëpinë e tij. Ata qëndrojnë të ulur nëpër qilima në tokë, në një sallë ku nuk depërtojnë rrezet e diellit përvëlues të shkretëtirës. Ai i thotë të birit t’u shërbejë mysafirëve kafe të fortë dhe të hidhur, nga një filxhan i përbashkët. Sheiku mban edhe maskë në fytyrë për t’u mbrojtur nga Covid-19.

E megjithatë, kodi që ai përkrah është mizor. Dhe një nga synimet e kësaj mizorie është t’u japë mundësi burrave të kontrollojnë pjellorinë e grave. Një vajzë duhet të pranojë burrin që zgjedh i ati. Nëse del në shoqërinë e një burri tjetër, të afërmit e saj meshkuj duhet t’i vrasin të dy për të ruajtur nderin e fisit.

Gratë, kryesisht, qëndrojnë në shtëpi. Në qershor, korrespondenti i “The Economist” vizitoi tre fise shiite në Irakun Jugor dhe shëtiti nëpër fshatrat e tyre. Nuk vuri re asnjë femër të moshës pas pubertetit.

Shtypja e grave nuk lëndon vetëm gratë; por edhe burrat. Ajo i bën shoqëritë më të varfra dhe më pak të qëndrueshme, argumentojnë Valerie Hudson nga Universiteti i Teksasit dhe Donna Lee Bowen dhe Perpetua Lynne Nielsen nga Universiteti Brigham Young.

Disa qytete në Irak janë mjaft liberale, sipas standardeve të Lindjes së Mesme, por pjesa më e madhe e zonës rurale është patriarkale në një nivel të skajshëm. Rendi shoqëror është ndërtuar rreth grupeve farefisnore mashkullore. Drejtuesit janë të gjithë burra. Në shtëpi, pritet që gratë t’u binden burrave, baballarëve ose vëllezërve. Në takimet fisnore, nuk ka fare femra. “Dua të jem i qartë: sipas zakoneve fisnore, një grua nuk duhet të ketë lirinë e shprehjes”, thotë Manshad.

Grupet farefisnore mashkullore kanë qenë njësia bazë e shumë shoqërive, për pjesën më të madhe të historisë. Ato u zhvilluan si një mekanizëm vetëmbrojtës. Burrat që ishin të lidhur me njëri-tjetrin kishin më shumë gjasa të bashkoheshin kundër armiqve të jashtëm.

Nëse ata martoheshin jashtë grupit, gratë largoheshin nga familja e vet për t’u bashkuar me burrat e tyre. (Kjo quhet martesë “patrilokale”, dhe është ende e zakonshme në shumicën e Azisë, Afrikës dhe Lindjes së Mesme.) Linja e gjakut konsiderohej se kalonte nga i ati tek i biri (kjo marrëveshje quhet “patrilineale”). Rolet pronësore dhe udhëheqëse gjithashtu kalonin në linjën mashkullore. Vajzat vlerësoheshin vetëm për nga aftësia e tyre për të lindur djem. Krijoheshin rregulla të rrepta për të siguruar “dëlirësinë” e grave.

Rregulla të tilla u krijuan për një botë ku nuk ekzistonin elemente si shtete moderne që të ruanin rendin, apo metodat moderne të kontracepsionit. Në vendet e pasura liberale, është braktisur me kohë ideja e grupit të farefisnisë mashkullore si blloku ndërtues i një shoqërie. Por gjetiu, çuditërisht, ajo vazhdon të jetë e zakonshme. Dhe në një kohë kur një grup ekstrem ka marrë në dorë pushtetin në Afganistan, ia vlen të shikojmë se si funksionojnë shoqëri të tilla.

Në librin “Rendi i parë politik: Si seksi formëson qeverisjen dhe sigurinë kombëtare në të gjithë botën”, zonja Hudson, zonja Bowen dhe zonja Nielsen, rendisin 176 shtete në një shkallë nga 0 në 16, në bazë të të ashtuquajturit “sindromi patrilineal/vëllazëror”. Kjo përfshin elemente si, trajtimi i pabarabartë i grave në ligjin familjar dhe të drejtat e pronësisë, martesa e hershme për vajzat, martesa patrilokale, poligamia, vendosja e një çmimi për nuset, parapëlqimi për djemtë, dhuna ndaj grave dhe qëndrimet shoqërore ndaj kësaj dhune (për shembull, a shihet përdhunimi si një krim pronësor ndaj burrave?).

Demokracitë e pasura kanë rezultate të mira në këtë listë: Australia, Suedia dhe Zvicra arrijnë rezultatin më të mirë të mundshëm zero. Iraku ka një rezultat tepër të dobët në shkallën 15, në të njëjtin nivel me Nigerinë, Jemenin dhe Afganistanin (para ardhjes së talebanëve).

Vetëm Sudani i Jugut ka një rezultat më të dobët se këto shtete. Kjo performancë e dobët nuk vihet re vetëm tek vendet e varfra (Arabia Saudite dhe Katari janë gjithashtu shumë dobët), dhe ato myslimane (India dhe shumica e Afrikës Nënsahariane gjithashtu janë shumë mbrapa). Në përgjithësi, autorët vlerësojnë se 120 shtete vuajnë ende nga kjo sindromë.

Si një patriark, Manshad pritet të zgjidhë problemet që i paraqesin burrat nga fisi i tij. Shumë prej tyre përfshijnë gjakderdhje. Ai thotë se dje, duhej të zgjidhte një mosmarrëveshje mbi tokën. Disa burra nga një fis tjetër po gërmonin rërë për të bërë çimento në një copë toke që pretendohej nga fisi i zotit Manshad. Konflikti u shoqërua me të shtëna armësh. Një burrë u godit në kofshë. Më pas u bë thirrje për një armëpushim për të diskutuar kompensimin, duke u ndërmjetësuar nga një fis i tretë. Në një incident tjetër pesë ditë më parë, u vranë tre burra gjatë një konflikti për një kamion. Ne kemi “shumë probleme të këtij lloji”, psherëtin sheiku.

Policia irakiane ngurron që të ndërhyjë në vrasjet fisnore. Fajtori mund të jetë i armatosur. Nëse ai vdes duke i bërë qëndresë arrestimit, të afërmit meshkuj do të ndiejnë një detyrë morale për të vrarë policin që e qëlloi. Policët nuk duan të përfshihen në konflikte të tilla. Është shumë më e lehtë për ta t’i lejojnë fiset që t’i zgjidhin vetë mosmarrëveshjet e tyre.

Por kodet e vjetra të nderit shpesh e shkelin ligjin irakian. Ciklet e hakmarrjes mund të dalin jashtë kontrollit. “Po vriten kalimtarë të pafajshëm”, ankohet Muhammed al-Zadyn, i cili këshillon guvernatorin e Basrës (një qytet jugor) mbi çështjet fisnore. “Lufta më e fundit me armë ishte pardje”, thotë ai. Muajin e mëparshëm ai kishte ndihmuar në zgjidhjen e një mosmarrëveshje tjetër, e cila datonte nga një vrasje në vitin 1995. Zadyn ka dy plagë plumbi në kokë, si pasojë e tentativave për hakmarrje.

Papritur, i bie telefoni; një konflikt tjetër ka nevojë për ndërmjetësim. Një grua është akuzuar për marrëdhënie seksuale jashtëmartesore. Deri tani, mbi këtë çështje janë vrarë shtatë persona dhe janë plagosur pesë. Për shkak se dy nga të vrarët ishin të moshuar, të afërmit e tyre thonë se tani ata duhet të vrasin dhjetë persona nga fisi tjetër për të shlyer hakun. Zadyn e pret një natë e gjatë.

Besnikëritë fisnore mund të dëmtojnë shtetin. Kur një anëtar i fisit punësohet në Ministrinë e Shëndetësisë, ai punëson kushërinjtë e pakualifikuar dhe është më i përkushtuar në krijimin e leverdive financiare për të afërmit e tij sesa për të përmirësuar gjendjen e vendit. Kjo është një pjesë e arsyes pse ministritë irakiane janë kaq të korruptuara.

Dhe kur shteti shihet si burim për grabitje, njerëzit luftojnë mes tyre. Iraku përjetoi pesë grushte shteti nga periudha e pavarësisë në vitin 1932, deri në marrjen e pushtetit nga Saddam Hussein në vitin 1979. Më pas, që atëherë, ka pushtuar dy shtete fqinje, është pushtuar nga Shtetet e Bashkuara dhe është shfrytëzuar nga xhihadistët që krijuan një kalifat, në një kohë kur kurdët u dorëzuan, dhe milicitë shiite, disa të mbështetura nga Irani, u bënë pothuajse po aq të fuqishme sa vetë qeveria. Sigurisht, jo të gjitha këto dukuri negative janë faj i fiseve patriarkale. Por, nga ana tjetër, nuk mund të fajësohen për gjithçka forcat e huaja.

Zonja Hudson dhe bashkautorët e saj testuan lidhjen midis sindromës patrilineale dhe paqëndrueshmërisë së dhunshme politike. Ata studiuan regrese të ndryshme në 176 shtete, duke shqyrtuar elemente të tjera që mund të nxisnin konfliktet, si konfliktet etnike dhe fetare, historinë koloniale dhe kategorinë kulturore, si ndarjet midis Islamit, Perëndimit dhe Hinduizmit.

Ata nuk gjetën prova konkrete se sindroma shkaktonte paqëndrueshmëri – kjo do të kërkonte të dhëna më të thella që nuk ishin mbledhur ende ose eksperimente natyrore, që janë praktikisht të pamundura të kryhen në këto vende. Por gjetën një lidhje të fortë statistikore.

Sindroma shpjegonte tre të katërtat e ndryshimit midis rezultatit që arrinin vendet në indeksin e Shteteve të Brishta, të përpiluar nga Fondi për Paqen, një qendër studimore në Uashington. Ajo ishte një parashikues më i mirë i paqëndrueshmërisë së dhunshme sesa të ardhurat, urbanizimi ose matja e qeverisjes së mirë nga Banka Botërore.

Autorët gjithashtu gjetën dëshmi se shoqëria patriarkale dhe varfëria shkojnë paralelisht. Sindroma shpjegonte katër të pestat e ndryshimit në sigurinë ushqimore dhe katër të pestat e ndryshimit të rezultateve të vendeve në Indeksin e Zhvillimit Njerëzor të OKB-së, i cili mat faktorë si jetëgjatësia, shëndeti dhe arsimi. “Duket se mënyra më e sigurt për të mallkuar kombin tënd, është duke nënshtruar gratë e tij”, thotë studimi në fund.

Seksizmi fillon në shtëpi

Pengesat me të cilat ballafaqohen femrat nisin që në barkun e nënës. Familjet që preferojnë djemtë, mund të abortojnë vajzat. Kjo ka qenë veçanërisht e zakonshme në Kinë, Indi dhe në rajonin e Kaukazit. Për shkak të abortit përzgjedhës mbi bazën e seksit dhe neglizhencës ndaj vajzave, të paktën 130 milionë vajza mungojnë nga popullsia e botës, sipas një vlerësimi.

Kjo do të thotë se shumë burra do të mbeten beqarë; dhe beqarët e frustruar mund të jenë të rrezikshëm. Lena Edlund, nga Universiteti i Kolumbias dhe bashkautorët e tjerë, zbuluan se në Kinë, për çdo 1% rritje në raportin burra-gra, krimet e dhunshme dhe të pronës rriteshin me 3.7%. Në disa pjesë të Indisë me më shumë meshkuj, gjithashtu ka më tepër dhunë ndaj grave. Kryengritja në Kashmir ka rrënjë politike, por nuk mund të anashkalohet fakti se ky shtet ka një nga raportet gjinore më të çekuilibruara në Indi.Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Normat e familjes ndikojnë shumë. Ndoshta norma më destabilizuese shoqërore është poligamia (ku një burrë martohet me më shumë se një grua). Vetëm rreth 2% e njerëzve jetojnë në familje poligame. Por në vendet më të paqëndrueshme të botës, ajo është e përhapur. Në Malin e shkatërruar nga lufta, në Burkina Faso dhe Sudanin e Jugut, shifra arrin në mbi një të tretën. Në verilindje të Nigerisë, ku xhihadistët e Boko Haram kontrollojnë sipërfaqe të mëdha territori, 44% e femrave të moshës 15-49 vjeç, janë në bashkime poligame.

Nëse 10% e burrave më të pasur në botë do të kishin secili nga katër gra, 30% e më të varfërve nuk do të kishin asnjë. Kjo i nxit ata të vrasin burrat e tjerë dhe t’i grabisin ata. Mund ta kryejnë këtë duke formuar grupe banditësh me kushërinjtë e tyre, si në Nigerinë Veriperëndimore, ose duke u bashkuar me ushtritë rebele, si në Sahel. Në Guineja, ku ushtarët kryen një grusht shteti më 5 shtator, 42% e femrave të martuara të moshës 15-49 vjeç, ishin në martesa poligame.

“Çmimi i nuses”, një praktikë më e përhapur, është gjithashtu tepër destabilizues. Në gjysmën e vendeve, martesa zakonisht përfshin ofrimin e parave ose mallrave. Shumica e kulturave patrilineale këmbëngulin në këtë zakon. Burimet shpesh kalojnë nga familja e dhëndrit, tek ajo e nuses, edhe pse në Azinë Jugore zakonisht është e anasjella (e njohur si prikë).

Shpesh bëhet fjalë për shuma të mëdha parash. Në rrethin Tororo në Uganda, një dhëndër pritet t’i ofrojë familjes së nuses pesë lopë, pesë dhi dhe para të thata, të cilat ndahen midis të afërmve të saj meshkuj. Si pasojë, “disa burra thonë: ‘ti je prona ime, kështu që unë kam të drejtë të të rrah’”, thotë Mary Asili, e cila drejton një degë lokale të Mifumi, një grup për të drejtat e grave.

Çmimi i nuses nxit martesat e hershme për femrat, dhe martesat e vona për meshkujt. Nëse vajzat e një burri martohen në moshën 15-vjeçare dhe djemtë e tij në moshën 25-vjeçare, ai ka mesatarisht dhjetë vite kohë për të mjelë dhe për të shumuar lopët që merr si shpërblim për vajzat, që të paguajë për martesën e djemve. Në Uganda, 34% e femrave janë martuar para moshës 18 vjeç dhe 7% para moshës 15 vjeç. Martesat e hershme ndikojnë që vajzat të kenë më shumë gjasa të braktisin shkollën, dhe të jenë më pak të afta për t’i bërë ballë një burri abuziv.