Gjyqi për deputetin e PD Ervin Salianji, është shtyrë dhe do të mbahet më datë 18 korrik në orën 14.00, shkruan newsbomb.al. Avokatët dhe vetë gjyqtarët e Apelit nuk kanë shkuar në seancën për “Babalen”, duke bërë që ajo të shtyhet për pas dy javësh.

Në një deklaratë për mediat, Ervin Salianji ka thënë se ai ishte i vetmi person në sallën e gjyqit. “Siç edhe e ndoqët, isha i vetmi i paraqitur pas akuzës së bërë nga një i dënuar për trafik droge. Pas mungesës së stafit të gjykatës, çështja u shty për më datën 18 korrik ora 14:00”, u shpreh deputeti demokrat.

Në mbështetje të tij në sallën e gjyqit shkuan dhe deputetë të tjerë të PD. Edhe ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë sot në konferencë nga selia blu, duke e quajtur gjyqin “akt kriminal dhe tentativë të Edi Ramës për t’i hequr mandatin Ervin Salianjit.”

“Ankimi është i kotë, janë të gjithë elementët që janë bërë publikë, që nuk ka pasur asnjë element të veprës penale. Unë kam paraqitur prova para publikut për të provuar pafajësinë time. Ndërkohë, Prokuroria duhet të provonte fajësinë time.

Pjesa e investigimit të gazetarit është e njohur për publikun dhe Prokurorinë. Fredi Alizoti ka hequr dorë nga ankimimi dhe është i kënaqur me lekët. Policia ka futur në dosje një person, Agron Hyseni, donin ta bënin Agron për Agron. Pas denoncimit, vëllai i deputetit shkoi në Itali të vuante dënimin, Prokuroria nuk e izoloi këtu të vuante dënimin për trafik droge por u morën me denoncuesit”, u shpreh deputeti para Gjykatës së Apelit në Tiranë.

Deputeti demokrat është dënuar me 1 vit burg për dosjen “Babale”. Nëse Gjykata e Apelit linte sot në fuqi vendimin e shkallës së parë, atëherë Ervin Salianji shkonte në burg dhe prangosej në sallën e gjyqit, duke humbur kështu dhe mandatin e deputetit.