Është shtyrë sërisht gjyqi ndaj ish-efektivit të Forcave Speciale, Arbër Paplekaj, këtë të premte që u mbajt në gjykatën e Elbasanit. Të paktën shtatë seanca janë shtyrë që nga njoftimi i gjykimit, dhe gjyqi i radhës është caktuar të zhvillohet më 6 dhjetor.

Shkak për shtyrjen e sotme është bërë mungesa në seancë e shtetasit Emiljan Prenga, person që mbeti i plagosur nga të shtënat me armë në prag të zgjedhjeve të vitit të kaluar. Viktimë në ngjarjen e ndodhur në Elbasan para zgjedhjeve mbeti mjeku Pjerin Xhuvani.

Prenga mësohet se nuk është thirrur në Gjykatë dhe për pasojë ai nuk ka marrë pjesë në seancë. Edhe vetë ish-efektivi Arbër Paplekaj, i angazhuar atë kohë me Strukturën e Mbrojtjes së Votës në Elbasan, nuk ka qenë në seancë por është përfaqësuar nga avokati i tij Mirash Martina ji cili në përfundim të seancës foli për shtyrjen e rradhës.

Arbër Paplekaj akuzohet për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit, e mbetur në tentativë”, “Heqja e paligjshme e lirisë e kryer me dhunë” në bashkëpunim. Ditë më parë, Arbër Paplekaj ka bërë kërkesë në Gjykatën e Lartë që çështja në ngarkim të tij të gjykohet në një gjykatë tjetër, në Tiranë, pasi në Elbasan ekziston mundësia që trupi gjykues të ndikohet nga bandat. Po ashtu, ish-speciali i RENEAS ka thënë se nuk është i sigurt në Elbasan por deri më tani trupa gjykuese nuk është shprehur në lidhje me këtë kërkesë të tij./Egnatia news