Grupi i shtatë demokracive më të pasura njoftoi të shtunën se synon t’i vihet përballë ndikimit në rritje të Kinës duke u foruar vendeve në zhvillim një plan infrastrukturor që do ta rivalizonte nismën trilionëshe të shtetit komunist, “Belt and Road”.

Liderët e shtatë shteteve të zhvilluara, të cilët po takohen në Angli si pjesë e samitit të Grupit G7, kanë qenë në kërkim të një përgjigje koherente ndaj sjelljes agresive të Kinës pas rritjes ekonomike dhe ushtarake në katër dekadat e fundit, shkruan Reuters.

Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe liderët e vendeve tjera të Grupit G7 shpresojnë se plani, i njohur si “Build Back Better World”, do të ofrojë bashkëpunim transparent në infrastrukturë për të ofruar ndihmë për zvogëlimin e nevojës për 40 trilionë dollarët që duhen nga vendet në zhvillim deri në vitin 2035, tha Shtëpia e Bardhë.

“Kjo nuk është vetëm për t’i dalë përballë Kinës, por deri më tani, ne nuk kemi ofruar një alternativë pozitive që i pasqyron vlerat dhe standardet tona dhe mënyrën tonë të të bërit biznes”, tha një zyrtar i lartë i administratës së Bidenit.

Grupi G7 dhe aleatët e tij do ta përdorin këtë plan për ta mobilizuar kapitalin e sektorit privat në fusha si klima, shëndetësia, teknologjia digjitale dhe barazia gjinore, tha Shtëpia e Bardhë. Ende nuk dihet saktësisht se si do të zhvillohet ky plan apo sa kapital do të vendosej për të.

Nisma e Kinës është plan prej disa triliona dollarësh, i nisur nga presidenti Xi Jinping më 2013. Në këtë plan përfshihen investimet zhvillimore që shtrihen nga Azia në Evropë e më tej, duke rijetëzuar “Rrugën e Mëndafshit” që do të sillte mallarat kinez në tregun EVROPIAN. Mbi 100 shtete deri më tani kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Kinën për projekte si hekurudha, porte, autostrada dhe plane tjera infrastrukturore.