Ndërkohë që Presidenti amerikan Joe Biden pritet të zhvillojë sot një bisedë urgjente me Presidentin rus Vladimir Putin, kjo është paraprirë nga një tjetër telefonatë.

Sipas The Guardian, ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov, duke folur në telefon me sekretarin amerikan të shtetit Antony Blinken, tha se SHBA-ja dhe BE-ja kanë injoruar propozimet ruse për sigurinë.

Lavrov akuzoi gjithashtu SHBA-në se po ndërmerrte një “fushatë propagandistike” në lidhje me agresionin e mundshëm rus në Ukrainë.

Ministri i Jashtëm rus vijoi me linjën e sulmeve ndaj SHBA-së duke e akuzuar këtë të fundit për histeri dhe për përdorimin e propagandës që të “mbulonte” sulmet e forcave ukrainase ndaj separatistëve rusë në lindje të vendit.

Përpara telefonatës, Blinken tha: “Ne jemi në pikën kur një pushtim rus mund të fillojë në çdo kohë nëse kështu vendos presidenti Putin”.

“Histeria në Shtëpinë e Bardhë po zbulohet më shumë se kurrë. Anglo-saksonët kanë nevojë për luftë. Me çdo kusht. Provokimet, dezinformatat dhe kërcënimet janë metoda [e tyre] e preferuar për të zgjidhur problemet e tyre”, shkruajti të premten në mbrëmje zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

“E gjithë bota po shikon se si militarizmi dhe ambiciet perandorake po ekspozohen,” tha Zakharova, duke shtuar se “brigada propagandistike e udhëhequr nga Bloomberg” është bashkëpunëtore në përshkallëzimin e vazhdueshëm të situatës.

Deklarata erdhi pasi agjencia e lajmeve me bazë në Nju Jork citoi burime amerikane të thoshin se Moska mund të pushtonte Ukrainën që të martën.

Javën e kaluar, Bloomberg botoi aksidentalisht dhe më pas e fshiu një lajm me titull: “Rusi pushton Ukrainën”. Bloomberg më pas kërkoi falje.

“Politico” dhe “Der Spiegel” botuan artikuj të ngjashëm që citonin zyrtarët amerikanë të paralajmëronin aleatët e tyre evropianë për një pushtim të mundshëm rus të Ukrainës më 16 shkurt.

Kjo përkoi me një fjalim të Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Jake Sullivan, i cili u tha gazetarëve se Moska mund të lëshonte raketa dhe sulme ajrore në Ukrainë përpara se ta pushtonin atë me trupa tokësore.