Qeveria ka ndërhyrë sërish në aktin normativ shtrëngues për masat kufizuese, duke hequr penalizimin e rëndë me heqje patente prej 3 vitesh dhe bllokim mjeti për shkelësit e karantinës.

Masat zbuten me vetëm 30 ditë heqje të patentës për drejtuesit e mjeteve që kanë shkelur kufizimet.

“Masat administrative të vendosura nga autoritetet shtetërore përkatëse, sipas pikës 11, të nenit 3, të aktit normativ nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, për heqjen e lejes së drejtimit apo masat e tjera të bllokimit të automjeteve humbasin fuqi, nëse nga periudha e marrjes së masave është përmbushur afati prej 30 (tridhjetë) ditësh, i parashikuar në shkronjën “b”, të nenit 1, të këtij akti normativ”, thuhet në nenin që flet për shlyerjen e masave administrative.

Kjo do të thotë se me këtë akt normativ, të gjithë atyre qytetarëve që u është sekuestruar leja e drejtimit dhe bllokuar automjeti për shkelje të kufizimeve mund të marrin menjëherë si patentën, ashtu edhe makinën nëse janë mbushur 30 ditë që nga momenti i bllokimit të tyre.