Norvegjia është një ndër vendet me tregun më të madh të makinave elektrike në botë, për shkak të stimulit të madh nga qeveria, e cila synon të shesë vetëm makina me 0 emisione nga vitin 2025.

Mirëpo përdoruesit norvegjezë të makinave Tesla Model S kanë bërë ankesa në këshillin e rregullimit vendas, me pretendimet se autonomia e makinave të tyre ishte zvogëluar dhe se shpejtësia e karikimit nuk ishte më e njejtë në stacionet Supercharger të Tesla. Fillimisht kjo kompani nuk i ktheu asnjë përgjigjje qytetarëve, mirëpo vendimi i gjykatës ka detyruar Tesla të paguajë rreth $16,000 për çdo përdorues të saj në Norvegji, si një formë kompensimi.

Shkak i këtij problemi me sa duket ka qenë një software update i 2019, i cili ka prekur jetëgjatësinë e baterive të makinave Tesla Model S të prodhuara midis viteve 2013-2015. Nettavisen tregon se numri i Model S të shitura gjatë kësaj periudhe është mbi 10,000, pra ky vendim i ka kushtuar shumë Teslas.

Është ende e paqartë se çfarë hapash do të ndjekë Tesla, pasi afati i shlyerjes së këtyre detyrimeve është deri në datën 30 maj. Në të kundërt kjo kompani duhet të apelojë këtë vendim. Diçka e ngjashme po ndodh dhe në SHBA, ku përdoruesit kanë ngritur një padi kundrejt kompanisë për karikimin e ngadalësuar në modelet më të vjetra.