Në konferencën mbi ecurinë e çështjes ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-ushtareve te tjere te UCK-së në Hagë, avokatët kanë kritikuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar për vonesa në dorëzimin e materialeve shfajësuese. Mbrojtja ka kërkuar që prokuroria t’u vë në dispozicion menjëherë dokumentet të cilat lidhen me materialet shfajësuese dhe sipas tyre ZPS-ja posedon materiale të tilla, por nuk i dorëzon ato.

Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Kehoe ka thënë se prokuroria duhet t’i dorëzojë materialet shfajësuese menjëherë dhe jo t’i kërkohet të bëjë një gjë të tillë duke shtuar se kjo është detyrim për ZPS-në.

Kur ZPS-ja vendohet në pozitë të vështirë atëherë ata dorëzojnë material shfajësues, është shumë e thjeshtë, kjo është një çështje e cila ka hasur shumë probleme nga ana e prokurorisë, ka dokumente shfajësuese në posedim të ZPS-së aktualisht duke lënë me një anë mocionin që kemi dorëzuar sot lidhur me dokumente serbe të cilat ju e keni parë i nderuar gjykatës, pra është një proces që duhet bërë dhe bëhet mirë të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Ata duhet ta bëjnë dorëzimin e këtyre materialeve tani”, ka thënë ai, raporton Koha.net.

Benedict Emmerson, avokati i ish-kreut të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, deklaroi se Zyra e Prokurorisë po e zvarrit procesin gjyqësor, duke shtuar se nëse vazhdon kështu, ky proces do të zgjasë deri në 5 vjet.

Ai deklaroi të enjten në konferencën mbi ecurinë e çështjes se Prokuroria ka ulur numrin e orëve të trajtimit të dëshmitarëve, por nuk e ka ulur numrin e dëshmitarëve që do të dëshmojnë.

“Në konferencën mbi ecurinë e çështjes na u tha se Prokuroria ka ulur numrin e orëve të trajtimit të çështjeve , ndërsa tani thotë se nuk ka hequr asnjë dëshmitar nga lista. Nëse numri i orëve është hequr, atëherë është zvogëluar edhe numri i dëshmitarëve. Neve nuk na është thënë kjo”, deklaroi ai.

Emmerson theksoi se çështja e dorëzimit të dokumenteve duhet të kryhet sa më parë, në mënyrë që procesi të mos marrë kohë.

“Nuk e kam për detyrë të detyrojë prokurorinë të sillet ashtu siç duhet, por e kam detyrë ta mbrojë klientin tim, të fillojmë me çështjen në kohën e duhur. Nuk shohim gatishmëri nga Prokuroria për t’i dhënë ecuri këtij procesi. Mbrojtja nuk ka më çfarë të bëjë. Është Prokuroria ajo që po shkakton pengesa sepse nuk e dinë cilët dëshmitarë do të dëshmojnë. Do t’i vendosin në listë për të dhënë dëshmi dhe t’ua japin gjysmën e kohës për t’i bërë rrëfimet e tyre. Kjo nuk është Prokurori profesionale. Ju ftoj të caktoni afat, të paktën 7 ditë para konferencës së ardhshme për listat e dëshmitarëve”, deklaroi ai.

Sipas avokatit të Veselit, 107 dëshmitarët e parë apo 30 përqindëshi i atyre që do të dëshmojnë, duhet të dihen paraprakisht, në mënyrë që mbrojtja të përgatitet.

Përfaqësuesja e Prokurorisë mohoi deklarimet e mbrojtjes, duke thënë se listat dihen tash e disa muaj, derisa shtoi se akuzat e Emmersonit janë të pabazuara.