Ish kandidati për kryetar bashkie në Tiranë, Roland Bejko ka reaguar ditën e  sotme rreth tensioneve në selinë blu, por edhe përplasjet fizike mes simpatizanëve dhe deputetëve.

Në një deklaratë për mediat, Bejko, është shprehur se largimi në mes të mbledhjes i disa prej anëtarve, është thikë pas shpine për demokratët. Bejko ka shtuar se në këto momente, PD-së i duhet mbështetje dhe jo shkelma.

Kujtojmë se mbledhja e Kryesisë së PD-së mbrëmjen e djeshme u shoqëruar me debate dhe incidente pasi në ambientet ku zhvillohej mbledhja erdhën disa nga mbështetësit e Lulzim Bashës.

“Nuk e di si do të vazhdojë më tej. Di të them që për 8 orë u diskutua nga të gjithë anëtarët e Kryesisë dhe besojmë se gjithkush dha versionin e tij për mënyrën sesi e ka parë PD që 1 vit më parë ku është larguar Basha dhe në momentin kur ka ardhur për t’u diskutuar se cilin nga modalitetet, pranoj në Kryesi, pasi u dhanë disa propozime. Unë i propozova të dy propozimet, si atë të grupit parlamentar, ashtu edhe atë të Kolegjit të Kryetarëve dhe propozimet që vinin nga anëtarët e Kryesisë, i përputha në një. Nuk u ra dakord për faktin që muaji Gusht është muaji ku nuk bëhen dot zgjedhjet në parti, si në nivelin vendor, ashtu edhe për kryetarin dhe në këtë moment, kur u kërkua të bëhej votimi, në mënyrë të pakuptimë, u pa që u largua sekretari i përgjithshëm, nuk e mora vesh sesi u largua. U largan dhe disa nga deputetët dhe tek e fundit, u kalua në votim.

Nuk kishte zgjidhje tjetër, por të vish në mënyrë të tillë që të imponosh që në rast se propozimi im nuk miratohet, unë largohem, natyrisht që kjo nuk është mirë për PD dhe nuk është as demokratike. Veprimi që u bë ishte i tillë, nëse nuk merrem parasysh “çohem dhe largohem”. Braktisja e mbledhjeve nga ana e deputetëve dhe ndonjë anëtari tjetër të Kryesisë ishte i tillë. Tek pika 5 e propozimit që ka bërë grupi parlamentar i PD-së thuhej që në rast se nuk do të ketë një zgjidhje konsensuale, në atë moment, ne do ta shikojmë veten jashtë procesit. Ndërkohë Kolegji i Kryetarëve dhe grupi i deputetëve janë institucion që rekomandojnë, por nuk janë ato që vendosin.

Ato që vendosin janë të Kryesisë. Ama, të vij unë në Kryesi dhe të shikoj që varianti im nuk miratohet dhe të bëj të qefmbeturin, të çohem dhe të iki. Kjo është thikë pas shpine për PD. Veprimet, të tilla. që i kanë bërë gjithsecili mban përgjegjësi dhe në raport me demokratët sot dhe nesër. Ky është një moment kur PD ka nevojë për mbështetje, jo për shkelma dhe jo shkelje të disiplinës së partisë”, tha Bejko.