Portieri shqiptar, Thomas Strakosha ka patur një sezon të vështirë vitin e kaluar, ku herë i dëmtuar, herë me covid e më shumë për zgjedhje teknike, ka qëndruar në stol në pjesën më të madhe të sezonit.
Tani me Sarrin, gardiani shqiptar pret një sezon më të mirë dhe shumë më pozitiv në aspektin personal.

“Është gjithmonë një ëndërr për mua të jem këtu, nuk mendoja se mund të arrija këtë numër paraqitjesh. Jam shumë i lumtur, por dua të përmirësohem në mënyrë që të vazhdoj të luaj këtu dhe të argëtohem. Ky është viti im i dhjetë te Lazio, unë kam parë më shumë Lazion sesa familjen. Unë gjithmonë i kam dhënë respekt Lazios, pasi klubi gjithmonë ma ka dhënë mua. Dua ta ndihmoj ekipin duke luajtur.

Vitin e kaluar ishte një zgjedhje e trajnerit, e respektueshme edhe nëse padyshim që nuk isha i lumtur që nuk luajta.

Një profesionist i cili është i lumtur të jetë në stol duhet të ndryshojë ndoshta sportin. Shpresoj të jem gati kur të vihem në pikëpyetje. Kam marrëdhënie të shkëlqyera me klubin, tifozët dhe ekipin”.

Tanimë me Sarrin në stol, portieri kuqezi pret një sezon shumë të mirë teksa thote fjalë pozitive për ish teknikun e Juventusit dhe Napolit. Në intervistën e tij tê gjatë nuk mungoi as një koment për afrimin e futbollistit tjetër shqiptar, Elseid Hysaj.

“Trajneri kërkon shumë intensitet në stërvitje, ndërsa rikuperimet janë shumë të shkurtra dhe kjo më bëri përshtypje. Ne tashmë e kemi njohur Sarrin, e dimë se gjithmonë përpiqet të marrë më të mirën nga lojtarët e tij, ne jemi shumë të kënaqur me ardhjen e tij. Felipe Anderson dhe Hysaj janë të dy lojtarë shumë të fortë dhe me përvojë. Na ka munguar shumë Felipetto, e kam parë atë shumë të motivuar.

Nëse ai është i motivuar edhe ti e kupton se ai do të jetë një armë shtesë. Për Hysajn di çfarë të them, e njoh. Edhe për shkak se ne luajmë së bashku në ekipin kombëtar dhe këtë vit e di që do ta shoh pothuajse gjithmonë, ai do të lodhet nga unë. Ai është shumë me përvojë, ka luajtur në shumë role dhe do të na japë një dorë të shkëlqyeshme”, përfundoi Strakosha në intervistën e tij të gjatë lidhur për sezonin e ri në Serinë A

ora tv