Regjistrat e tokës bujqësore në vend janë dixhitalizuar në masën 60 për qind në shkallë vendi, sipas të dhënave të fundit zyrtare të raportuara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Këta regjistra u takojnë 225 njësive administrative. Paralelisht dokumenti raporton se është krijuar Sistemin i Informacionit për Tokën për të paktën 448,541 ha ose 65.2% të totalit të tokës bujqësore në shkallë vendi. Në programin “Menaxhimi i Qëndrueshëm i Tokës” i cili ka si synim pikërisht këto hapa që lidhen me dixhitalizimin, ministria raportoi punën në disa qarqe.

“Në kuadër të programit “Menaxhimi i Qëndrueshëm i Tokës Bujqësore” i cili synon të krijojë Sistemin e Informacionit për Tokën (LIS) në rreth 15,000 ha tokë bujqësore në njësitë administrative Qukës të qarkut Elbasan, Hekal të qarkut Fier, Fajzë të Qarkut të Kukësit, Helmës të Qarkut të Tiranës, Blinisht dhe Zejmen të Qarkut të Lezhës për 12-mujorin e vitit 2023, shpenzimet faktike janë në masën 93%, dhe për produktin ka 15,071.7 ha sipërfaqe të dixhitalizuara”  thuhet në dokument.

Sipas raportit në përfundim të fazave janë kryer detyrat si:

1)         Inventarizimi dhe klasifikimi i tokave bujqësore sipas përshtatshmërisë së saj;

2)         Mbledhja e informacionit për përdorimin/mbulesë tokësore për vitin që është kryer regjistrimi fillestar dhe 2023 si dhe analizimi i dinamikës së ndryshimeve në përdorimin e tokës bazuar te parcela;

3)         Studimi agro-ekologjik i zonave në studim;

4)         Dixhitalizimi i regjistrit të tokës bujqësore për 4 njësi administrative;

5)         Krijimi i programit ËEB-GIS për të dhënat e tokës.

“Realizimi vjetor për vitin 2023 i shpenzimeve për këtë program është 93.9%.

Në fillim të vitit 2023 plani fillestar ka qenë 25,000,000 lekë. Plani i rishikuar për vitin 2023, pas rialokimeve të kryera gjatë vitit, është 24,300,000 lekë. Konkretisht gjatë vitit janë pakësuar shpenzimet e QTTB-së Fushë-Krujë në vlerën 4,608,000 lekë për mirëmbajtjen e WEB-GIS, vlerë e cila është transferuar në Aparatin e MBZHR-së, në të njëjtin program 05470.

Gjithashtu me Aktin-Normativ Nr. 6, datë 14.12.2023 janë pakësuar shpenzimet në vlerën 700,000 lekë” raportoi në dokumentin e monitorimit tëb buxhetit ministria./ Revista “Monitor”