6 gola në Premier League, 8 në total me fanellën e Southampton, Armando Broja vijon të shkëlqejë në ishull, një nga sulmuesit më në formë. Ylli kuqezi është kthyer prej kohësh në një nga lojtarët më të lakuar në tregun e transferimeve, në një kohë kur pjesa më e madhe e klubeve angleze kanë shfaqur interesim për sulmuesin shqiptar.

Pavarësisht se vetëm 20 vjeç dhe në sezonin e tij të parë në Premier League, Broja po dhuron paraqitje fantastike, edhe kundër ekipeve të mëdha duke nisur nga Man.City, Tottenham dhe së fundmi Man.United. Të shohësh Brojën teksa driblon me lehtësi, ata që konsiderohen si mbrojtësit më të mirë në qarkullim si Maguire apo Varane, kupton qartë potencialin e talentit shqiptar.

Broja Arsenal

Së fundmi në skenë për të siguruar shërbimet e Brojës ka dalë dhe skuadra e Arsenal. Arteta duket i impresionuar nga forma e sulmuesit të Southampton, për këtë arsye sipas “Football.london”, i ka kërkuar drejtuesve të klubit të studiojnë terrenin për të kuptuar nëse ekziston mundësia për të transferuar Brojën në verë.

Arteta dëshiron ta vendos në majën e sulmit por më parë mbetet për kuptuar se çfarë plani ka Thomas Tuchel për sulmuesin shqiptar. Është e qartë Chelsea dhe tekniku gjerman do të studiojnë me kujdes të gjithë opsionet, por sipas mediave angleze vështirë të mendosh se blutë do të heqin dorë kaq lehtë nga talenti i tyre i akademisë.