Detaje të reja janë mësuar nga operacioni i zhvilluar në Gjirokastër, ku AMP ndaloi shefin e krimit të Organizuar Alfred Kondi.

Ka rezultuar dy punonjës policie, nje doganier, dy shtetas të tjerë se ishin të përfshirë në trafik klandestinësh dhe të mallrave kontrabandë të paktën prej dy vitesh.

Sipas burimeve nga ABC News mësohet se AMP nisi hetimet pas dyshimeve dhe nga përgjimet arriti të zbulojë skemën kriminale.

Njoftimi

AMP ndalon dy punonjës policie, nje doganier, dy shtetas dhe shpall në kërkim një tjetër punonjës policie.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë – Gjirokastër) ka zbatuar Urdhrat e ndalimit caktuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër ndaj:

Kryekomisar Alfred Kondi., me detyrë Shef i Sektorit të Krimit të Organizuar në DVP Gjirokastër, i dyshuar për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Shpërdorim i autoritetit policor” kryer në bashkëpunim.

️ N / Komisar Xhevit Dine, me detyrë Specialist në Seksionin e Inteligjencës dhe Arkivës Kriminale, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” kryer në bashkëpunim.

️ Inspektor Feim Onjea., me detyrë Trupë Shërbimi Operacional në forcën e posaçme Shqiponja, i dyshuar për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Shpërdorim i autoritetit policor” kryer në bashkëpunim. Aktualisht i shpallur në kërkim.

Shtetasit Bledar Mustafaraj, me detyrë doganier, niveli C2 në degën doganore Kakavijë, i dyshuar për veprave penale “Falsifikim i dokumentave” dhe “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.

️ Shtetasi Ilir Muho, i dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve” kryer në bashkëpunim.

️ Shtetasi Kleodor Kazo., i dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve” kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet disa mujore me metoda speciale u dokumentua me prova ligjore përfshirja e shtetasve në veprën penale të trafikimit të emigrantëve të paligjshëm, favorizimin e shtetasve të ndryshëm në kontrabandimin e mallrave dhe organizimin e lojrave të fatit në formën e basteve sportive, me qëllim përfitimin në mënyrë të paligjshme të vlerave monetare.

Gjithashtu u provua se punonjësit e policisë duke shfrytëzuar funksionin organik dhe atributet që ju jep detyra, në periudha të ndryshme kanë ndikuar në lejimin e ushtrimit të aktiviteteve të paligjshme nga shtetas të ndryshëm.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një automjet tip ML dhe katër aparate celular.