Shtëpitë që po ndërtohen me programin e rindërtimit do të jenë në pronësi të familjeve të prekura nga tërmeti, që në çastin kur ato do të marrin në duar kontratën e hipotekës dhe çelësat e banesës.

Kryebashkiaku Erion Veliaj i ka hedhur poshtë si të pavërteta lajmet se këto shtëpi do jenë pronë e shtetit. Gjatë një takimi me banorë të Kombinatit, ku po ngrihet një prej dy lagjeve të reja dhe më të mëdha për të dëmtuarit e tërmetit, Veliaj tha se çdo familje do të jetë pronare e shtëpisë që po ngrihet me Programin e Rindërtimit.

“Nga java tjetër do t’ju vijnë kontratat e porosisë, të firmosura nga kryetari i Bashkisë, Njësia Administrative dhe Kryeministri. Pastaj, për shtëpinë e re, secila nga familjet do të marrë çelësin, hipotekën në bazë të kontratës dhe aty mbaron marrëdhënia me shtetin dhe fillon marrëdhënia private me pronën e tij. Është komplet e pavërtetë që shtëpitë e reja janë të shtetit. Shtëpitë e reja shteti i ndërton, ama, kur të jep çelësin dhe hipotekën, shtëpia bëhet e familjes, sipas kurorave që kanë pasur në shtëpinë e vjetër,” shpjegoi Veliaj.

Kryebashkiaku tha se, me lagjen e re model të rindërtimit, me inceneratorin që çliroi banorët nga djegia e plehrave, si dhe me investimet e mëdha tek “Astiri” dhe “Shqiponja”, në Kombinat po rritet shumë shpejt cilësia e jetës, por dhe vlera e pronës.

“Një nga arsyet pse kemi sjellë ministren më të fuqishme të qeverisë, si deputeten e ardhshme në Kombinat, është se unë i jap gaz me projektet e Bashkisë, Belinda me projektet e qeverisë. Po na jep një super dorë me Astirin, me “Shqiponjën”, ku çlirohet përfundimisht Kombinati, i cili nga një vend që bllokohej dhe ku digjeshin goma, do transformohet në një vend ku çmimi i shtëpisë do rritet me 50-60% që në vitin e parë. Kombinati kishte 30 vjet me maska, se digjeshin plehrat dhe gjithë tymi i verdhë që vinte nga Sharra, helmonte fëmijët. Sot jemi dita me natën, ke qejf të hapësh dritaren,” u shpreh Veliaj.

Sa i takon rindërtimit, kryetari i Bashkisë tha se aktualisht është bërë pastrimi kryesor i pallateve të dëmtuara dhe ka mbaruar i gjithë shpronësimi i zonave të zaptuara. “Do bëjmë një lagje për t’u patur zili, që do të ketë më shumë vlerë se sa edhe ish Blloku. Do kalojnë vitet dhe do shikojmë se si një lagje e bërë që nga fillimi, në mënyrë korrekte, me kanalizime, me ujërat e bardha, të zeza, me kopshte, me shkolla, me çerdhe, është një lajm i jashtëzakonshëm,” tha Veliaj.

Top Channel