Kur prej pothuajse 20 orësh vendi është nën pushtetin e borës, dhe ngricave që janë prezente në akset kryesore, Ministria e Mbrojtjes ju kërkon qytetarëve që të evitojnë lëvizjet dhe udhëtimet e panevojshme.

Në një njoftim të bërë publik për mediat, MM shprehet se në ditët në vijim do të kemi një ndërprerje të reshjeve, por ulje të temperaturave që do të sjellin ngrica në shumë prej qyteteve.

Njoftimi i plotë i MM:

I gjithë territori i vendit tonë ditën e sotme është mbizotëruar nga reshje shiu me intensitet mesatar dhe me reshje dëbore. Si rezultat i reshjeve të borës në disa qarqe të vendit kemi pasur problematika në disa akse rrugore.

Ditët në vijim pritet mot i kthjellët, por për shkak të temperaturave të ulëta do të ketë ngrica në rrugë.

Ditën e djeshme si rezultat i reshjeve të borës është bllokuar aksi rrugor Milot-Lezhë. Situata ishte shumë e vështirë pasi 2 kamionë ishin përplasur me njëri-tjetrin dhe ishte e pamundur qarkullimi i mjeteve. Është organizuar puna me forca dhe mjete si dhe batanije dhe karburant për automjetet e bllokuara në këtë aks rrugor. Pas një pune të gjatë aksi rrugor është hapur me vështirësi në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme dhe ka filluar qarkullimi i mjeteve.

Si pasojë e reshjeve të borës, ditën e djeshme ka pasur bllokim të aksit rrugor Elbasan- Librazhd. Në vendngjarje kanë shkuar forca të policisë së shtetit dhe firma kontraktore të cilët kanë punuar për normalizimin e situatës. Nga informacioni i marrë sot në mëngjes aksi rrugor është i kalueshëm pjesërisht me zinxhirë.

Forcat e Armatosura në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë rritur gatishmërinë në të gjithë vendin për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.

Aktualisht trupat dhe mjetet e FA janë të angazhuara në zonën e Nënshkodrës për të ndihmuar lëvizjen e qytetarëve në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç, të prekura nga përmbytjet.

Një borëpastruese e Detashmentit të Mbrojtjes Rajonale të Drenovës është angazhuar për pastrimin e aksit Korçë-Kapshticë.

Ministria e Mbrojtjes u bën thirrje të gjithë qytetarëve të evitojnë lëvizjet jo të domosdoshme, sidomos në akset me prani të theksuar të ngricave.

(E.K/Faxweb.al)