Virgin Galactic e Richard Branson ka rinisur shitjen e biletave për udhëtimin e dytë në skajin e hapësirës me SpaceShipTwo. Ajo që u vu re është çmimi i ri, $450,000 për një biletë, në krahasim me çmimin $200,000 që kompania pati dy vite më parë.

Kjo rritje e çmimit vjen fill pas fluturimit të parë të suksesshëm në korrik, në të cilin mori pjesë dhe vetë Branson. Ky mision, i quajtur Unity 22, ishte një moment historik në kategorinë e turizmit hapësinor.

“Ne jemi shumë të lumtur të lajmërojmë se proçesi i shitjes së biletave për fluturimin e rradhës me SpaceShipTwo ka nisur, duke iu përgjigjur kështu kërkesës së madhe në treg.” u shpreh shefi ekzekutiv i Virgin Galactic, Michael Colglazier.

Shitja e biletave për klientët individual ka qenë e ndaluar që nga incidenti fatal në 2014 gjatë një testimi. Pas atij aksidenti, Branson u zotua se do të merrte pjesë vetë në këtë udhëtim për t’i treguar të gjithë klientëve për sigurinë e SpaceShipTwo.

Pas misionit të tij të suksesshëm në 11 korrik bashkë me 3 punonjës, kompania po planifikon një fluturim tjetër në shtator i cili do të jetë fluturimi i parë që do të gjenerojë përfitime për kompaninë. Në këtë udhëtim do të përfshihen 3 anëtarë të Forcave Ajrore të Italisë.

geek