Gjykata e Tiranës, ka lënë në burg, Saimir Karoshin, i akuzuar për vjedhje me armë.

Karoshi tre ditë më parë me anë të kanosjes me armë zjarri grabiti orën dhe bizhuteri, të pronarit të një pikëshitjesh makinash në zonën e Kamzës.

Në seancën me dyer të mbyllura, Karoshi ka pranuar autorësinë, duke u shprehur se ai ka luajtuar rolin e shoferit, ndërsa grabitjen e ka kryer shoku i tij, tashmë i shpallur në këkrim nga ana e bluve të komisariatit nr.5.

Nga veprimet hetimore dyshohet se Saimir Karoshi, në bashkëpunim me shtetasin Q. H., në një biznes (pikë për shitjen e automjeteve), në Bathore, Kamëz, i kanë marrë pronarit të biznesit, Xh. Sh., orën e dorës dhe varësen që kishte vënë.

Gjatë kontrollit në banesat e autorëve të dyshuar, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 3 ora dore, 2 varëse dhe 2 byzylykë floriri, me vlerë të konsiderueshme, të dyshuara të vjedhura, një sasi municioni luftarak, një aparat celular dhe automjeti që dyshohet se kanë përdorur autorët për t’u larguar pas vjedhjes.

Policia thotë se vijon puna për kapjen e shtetasit Q. H., si dhe për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas dhe nga shtetasi i arrestuar Saimir Karoshi.