Ylli i ri i Barcelonës, Gavi, ka qenë surpriza e madhe e trajnerit të Spanjës, Luis Enrike, në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve kundër Italisë. Për zgjedhjen e tij Enrike është kritikuar ashpër nga mediat në Spanjë dhe nga kolegë të tij.

Por Luis Enrike i ka besuar intuitës së tij duke e çuar deri në fund “kokëfortësinë” e vet për ta hedhur në fushë nga minuta e parë talentin 17-vjeçar.

Dhe Gavi nuk e ka zhgënjyer duke qenë nga më të mirët në fushë për Spanjën. Përpos kësaj, Gavi ka vendosur edhe një rekord të ri duke thyer të vjetrin që datonte nga viti i largët 1936. Ai është bërë lojtari më i ri debutues në historinë e “Furisë së kuqe”. Me 17 vite e 61 ditë ai ka kaluar Angel Zubietën, që debutonte me Kombëtaren spanjolle në vitin 1936 kur ishte 17 vjeç e 284 ditë.

Edhe pse mbrëmjen e djeshme u fut në histori, përballja e Gavit me kundërshtarët nuk ka qenë aspak miqësore. Në një foto të publikuar nga Zheremi Pino, nga dhomat e zhveshjes, në pjesën e gjoksit të 17-vjeçarit Gavi, vërehen disa plagë të shkaktuara nga goditja e kundërshtareve.