Për herë të dytë brenda një muaji, Presidenti amerikan Joe Biden bisedoi drejtpërdrejt me homologun e tij rus dhe i kërkoi të ulë tensionet, pasi Presidenti Vladimir Putin vazhdon të grumbullojë ushtarë pranë kufirit me Ukrainën. Por zyrtarët e administratës thanë se Putini nuk dha asnjë garanci për synimet e tij. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Poëell, njofton nga Uashingtoni.

Ishte raundi i dytë. Presidenti Joe Biden foli për herë të fundit me presidentin rus Vladimir Putin më pak se një muaj më parë. Të dy folën përsëri të enjten. Presidenti Biden i kërkoi Putinit që të ulte tensionet me Ukrainën, tha Shtëpia e Bardhë pas përfundimit të telefonatës 50-minutëshe.

Telefonata e një rëndësie të lartë erdhi ndërsa udhëheqësi rus vazhdon të grumbullojë dhjetëra mijëra trupa përgjatë kufirit ukrainas, siç shihet në këtë video të publikuar javën e kaluar nga Ministria ruse e Mbrojtjes.

Zyrtarët e administratës Biden thanë se të dy udhëheqësit patën një diskutim “serioz dhe thelbësor”. Por kur u pyet, një zyrtar i lartë i administratës, tha se presidenti rus nuk bëri “asnjë deklaratë në lidhje me synimet e tij”. Zyrtarë të nivelit të lartë nga të dy vendet do të takohen sërish në fillim të janarit në Gjenevë, për të vazhduar bisedimet.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, shkroi të mërkurën në Tëitter se Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u zotua për “mbështetje të plotë për Ukrainën për të përballuar agresionin rus”.

Më herët në dhjetor, ai vizitoi frontin e luftës dhe tha se ushtarët e tij ishin gati.