Në një intervistë për “Euronews”, stilistja e njohur, Stela Sallaku foli me tone “të ashpra” për veshjen e ekzagjeruar të disa moderatoreve të emisioneve shqiptare, edhe në oraret kur fëmijët janë para televizionit. Sipas saj prezantueset sot ngatërrojnë pasarelat me ekranin.

“Zonjat e ekranit ndonjëherë ngatërrojnë pasarelat e modës dhe dasmat me emisionet. Në botë respektohet kodi i etikës dhe audiencës. Moderatoret i kam parë të jenë më të zhveshura se sa do zbuloheshin në një event sheikësh”,-u shpreh stilistja.

Sipas Stelës një dukje e thjeshtë, pa logo markash na bën të dukemi më elegant dhe të shtrenjtë.

“Një këmishë e bardhë e hekurosur mirë duke gjithmonë e shtrenjtë, një palë pantallona të zeza, xhaketa blu nuk duhet të mungojnë në dollapët tona se shkojnë me çdo tonalitet lëkure dhe duket sikur ke dalë nga butiku, një triko e zezë dhe një rrip i mirë, që s’ka nevojë të ketë logot e markave”,- përfundoi Stela Sallaku.

Kujtojmë prej vitesh tashmë, Stela jeton në Amerikë. Ajo tregoi se sipas saj vajzat në Shqipëri vishen më bukur se vajzat jashtë.