Me rastin e Ditës së Rinisë dhe Lëvizjes së Dhjetorit, Partia Demokratike ka organizuar një sërë aktivitetesh në përkujtim të kësaj date themelore në historinë e saj dhe të Shqipërisë.

Të pranishëm në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, të organizuar në Katedralen Ortodokse kishte të rinj demokratë. Mes tyre ishte dhe kryetari i PD-së Sali Berisha.

Ish-kryeministri deklaroi se demokratët janë mbledhur sot, në këtë datë të rëndësishme pasi realizuan me sukses një nga dy misionet e PD-së, shpëtimin e saj. Misioni i dytë është shpëtimi i Shqipërisë, tha Berisha.

Berisha: Të dashur delegatë të FRPD-së, të dashur anëtarë dhe anëtare të FRPD-së , kudo ku ndodheni sot, i dashur Besart, kryetar i FRPD-së, drejtues të mëparshëm të kësaj organizate me një histori dhe të ardhme të jashtëzakonshme, me një rol sa madhor në historinë e këtij vendi, në historinë e shqiptarëve, po kaq të madhërishme për të ardhmen e shqiptarëve. Sot mblidhemi në Kuvend pasi ju, drejtuesit tuaj, anëtarët e FRPD, u shndërruat në fibrën me të fuqishme të rithemelimit të PD, të rivitalizimit të saj. Ai revolucion kishte dy qëllime madhore, shpëtimin e PD dhe shpëtimin e Shqipërisë.  Ju vini krenarë pasi keni realizuar me sukses të plotë misionin e parë. ju vini më të vendosur se kurrë, më të fuqishëm dhe të motivuar në misionin tuaj të dytë. Shqipëria përballet me pasojat e një pushtimi të brendshëm. A do mund të shpëtoni ju sot Shqipërinë e cila është sot shoqëria më e agresuar, më viktimë e mafies shqiptare, rajonale dhe botërore.

Kryetari i PD-së shprehu bindjen se demokratët kanë entuziazmin dhe forcën për ta vendosur Shqipërinë në rrugën e të ardhmes dhe të integrimit atlantik.

Berisha: Jeni një lëvizje që u përball në vitet ’90 me diktaturën staliniste më të egër dhe barbare që Evropa kishte njohur. U përballët me diktaturën komuniste, që bashkëmoshatarët tuaj bashkë me Azem Hajdarin mbushën rrugët e qytetit. Ata të rinj dhe studentë të udhëhequr po nga një njeri, i shndërruar në 24 orë një hero i papërsëritshëm në historinë e lëvizjeve revolucionare, në një lider, e gjunjëzuar diktaturën dhe diktatorin dhe i imponuar vendosjen e pluralizmit politik. Shqipëria nuk shpëtohet me lutje, por me revolucion, e shpëtojnë ata që e duan, e shpëtojnë ata që i dalin Zot.