Pas 16 orësh kërkime intensive, palombarët kanë gjetur trupat e pajetë të babë e bir në gjatësinë e përroit, në Bogë, malësi e Madhe.
Rrjedha e ujit mori para mesditën e djeshme makinën me të cilën po udhëtonin babai me dy fëmijët, vajzën dhe djalin.
Vajza 14 vjeç ka shpëtuar mrekullisht dje, pasi është nxjerrë nga mjeti nga banorët e zonës, ndërsa babë e bir rreth 50 dhe 18 vjeç u morën para nga rrjedha e ujit të vrullshëm.
Makina me të cilën po udhëtonte Pjetër Rrushaj së bashku me dy fëmijët e tij të mitur u mor nga rrjedha e ujit në vendin e quajtur “Grykë Lugje”, në njësinë administrative Shkrel, Malësi e Madhe.
Bogë është një fshat në ish-komunën e Shkrelit, në veri të Shqipërisë.
Me reformën e qeverisjes vendore të vitit 2015 u bë pjesë e bashkisë Malësi e Madhe.
Njoftimi i Policisë
Në vijim të informacion të dhënë mesditën e djeshme se në vendin e quajtur “Grykë Lugje”, në njësinë administrative Shkrel, Malësi e Madhe, rrjedha e ujit të përroit kishte marrë përpara një automjet me të cilin udhëtonin tre persona, banorë të zonës. (babai, djali dhe vajza), ju bëjmë me dije se:
Pas 16 orë kërkimesh intensive, gjatë pasdites së djeshme, gjatë natës dhe gjatë mëngjesit të sotëm, nga polumbarët e RENEA-s, grupi i evakuim-shpëtimit, grupi alpin i FNSH Shkodër, emergjencat civile dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në gjatësinë e përroit, në Bogë, u bë e mundur gjetja e dy trupave (babë e bir).