Është betuar ditën e sotme në Presidencë anëtari i ri i Gjykatës Kushtetuese, Genti Ibrahimi.

“Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë” tha Ibrahimi gjatë betimit.

Pas betimit presidenti Bajram Begaj i uroi suksese Ibrahimit në detyrën e re të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Në ceremoninë solemne të betimit ishin të pranishëm Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Sokol Binaj, Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca përfaqësues të OPDAT pranë Ambasadës së SHBA-së në Tiranë si dhe anëtarë të kabinetit të Presidentit të Republikës.

Kujtojmë që Ibrahimi është zgjedhur anëtari i ri i GJK. Gara ka qenë e ngushtë mes kandidatëve, ku në vend të dytë është renditur Arta Vorpsi me vetëm 0.16 pikë diferencë. Në vend të tretë, KED ka renditur ish-kryeprokuroren Arta Marku me 82.66 pikë.