Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se edhe agjencia mediatike e lajmeve Reuters, është e përfshirë në “skenarin” e organizuar sipas tij nga qeveria për goditjen e tij me grusht gjatë protestës në datën 6 dhjetor.
Berisha iu referua një lajmi të botuar në agjencinë Reuters fillimisht me titullin “Berisha u godit nga protestuesit”, por që më pas u korrigjua me titullin e ri “Berisha qëllohet gjatë marrshimit në protestë”.
Sipas Berishës, në agjencinë Reuters, është i punësuar një kushëri i kryeministrit Edi Rama. Kjo nuk është hera e parë që Berisha sulmon media ndërkombëtare si Reuters dhe Ëashington Post, një gjë e tillë ka ndodhur edhe në janar të këtij viti, kur i akuzoi se padrejtësisht e quajtën protestën e tij për marrjen e selisë së PD-së “të dhunshme”.
Sipas Berishës, qeveria kishte përgatitur një skenar për ta quajtur sulmin ndaj tij si “akt islamik” për shkak se në atë moment mbahej edhe “samiti i krishterë”.
“Dokumenti që ata përdorën dhe që e nxorrën gjysmë ore pas skenarit i implikonte ata vetë. U dështoi skenari që ta quante një akt islamist. Nuk e përdorën dot ia dogjëm. Se e thanë njëherë, “një vëlla mysliman më porositi mua”. Se samiti i krishterë është dhe thanë që do thonë ata “Shqipëria vend mysliman ndodh edhe kjo”. Por nuk u eci. Te agjencia Reuters ka një kushëri të Edi Ramës, dhe qe e para që dha lajmin se Berisha u godit nga një protestues. Ishte pjesë e skenarit kjo. Gerti Shehu është informator i policisë kriminale i përdorur si vesh për xhematin e xhamisë.
Të gjitha këto dëshmojnë qartë një përpjekje për të fshehur gjurmët e skenarit dhe të krimit. Dhe këtë e bën ai që porositi krimin, e bën Edi Rama. Sikur në minimum të ishte duar jashtë, çdo njeri do bënte çdo përpjekje për ta qartësuar atë. Ai atentat ishte atentat siç e kanë konceptuar ndaj çdo demokrati. Synonte një goditje të rëndë për forcën tonë”, deklaroi Berisha.