Covid-19 i ka marrë jetën një tjetër intelektuali në vend. Kujtim Bejtaj, me profesion inxhinier i cili ka mbajtur dhe postin e zëvendës ministrit të Ndërtimit në vitet 1998-2000, ka humbur betejën me virusin duke ndërruar jetë ditën e sotme.

Kush ishte Kujtim Bejtaj

I lindur më 26/01/1951 mbaroi shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe më pas filloi studimet në fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit të cilin e përfundoi po me rezultate të shkëlqyera. Pas diplomimit, në vitin 1974 filloi punë në Ndërmarrjen e Ndërtimit të Hidrocentraleve që në atë kohë po ndërtonte hidrocentralin e Fierzës.

Shumë shpejt spikati aftësia e tij si inxhinjer dhe drejtues i zoti duke u bërë shumë shpejt një nga drejtuesit kryesorë të asaj ndërmarrje gjigande. Pas përfundimit të hidrocentralit të Fierzës Kujtimi filloi dhe përfundoi hidrocentralin e Komanit duke qënë kryeinxhinjer i ndërmarrjes. Me përfundimin e hidrocentralit të Komanit, Kujtimi me gjithë ndërmarrjen tashmë si drejtor i saj filloi ndërtimin e hidrocentralit të Banjës deri në vitin 1993 kur përfundoi faza e parë.

Në vitet 1998-2000 Kujtim Bejtaj ishte në detyrën e zv.Ministër i Ndërtimit. Pas këtij viti vazhdoi aktivitetin përsëri në fushën e ndërtimit deri sa sëmundja e covid_19 i mori jetën. Cilësitë e larta njerëzore, korrektësia shëmbullore e tij, si dhe aftësia e jashtëzakonshme si inxhinjer dhe drejtues, bëjnë që ndarja nga jeta e Kujtimit të lerë pas një boshllëk të vështirë për t’u mbushur.

Faxweb.al