Në Shqipëri, platforma iSigurt.al publikoi sot një raport vjetor, sipas të cilit, janë shtuar ndjeshëm raportimet e fëmijëve dhe adoleshentëve për gjuhën e urrejtjes ndaj tyre përmes internetit. Ekspertët dhe veprimtarët theksojnë se prindërit, mësuesit dhe institucionet kanë ende një ndërgjegjësim të ulët mbi rreziqet, që u vijnë fëmijëve të tyre nga komunikimet online.
Raporti vjetor bazohet mbi incidentet e njoftuara nga vet fëmijët dhe adoleshentët pas komunikimeve online.
Raporti zbuloi se çdo dy ditë njoftohet prej tyre për internet të pasigurtë në Shqipëri, dhe 150 rastet e regjistruara sivjet shënojnë po ashtu një rritje të ndjeshme me 25 për qind më shumë se një vit më parë.
Numri i incidenteve të raportuara është rritur nga një vit në tjetrin, së bashku me një rritje të konsiderueshme të gjuhës së urrejtjes dhe bullizmit online ndaj fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve.
“Interneti vazhdon të mbetet i pasigurt për fëmijët. Numri i incidenteve të raportuara është rritur, ndërsa gjuh e urrejtjes ka kaluar në vendin e parë. Nëse më parë kemi folur për një mbiseksualizim online të fëmijëve, ndërsa tani kjo përzjehet me gjuhë të urrejtjes, me nxitje të krimit të urrejtjes ndaj fëmijëve, që është e paimagjinueshme, si dhe me bulizëm”, thotë drejtuesi i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, Altin Hazizaj.
Platforma iSigurt.al raporton dhe heq nga interneti, rrjetet sociale dhe mediat online materiale që përmbajnë dhunë seksuale ndaj fëmijëve, dhunë ekstreme ndaj fëmijëve dhe të rinjve, gjuhë urrejtje dhe bullizëm.
Raporti vjetor thekson se grupmoshat më të prekura nga numri më i lartë i incidenteve në internet janë 18-30 vjeç si dhe 15-17 vjeç.
Të gjithë këto grupmosha raportojnë për veten dhe për të tjerët, ndërsa raportimet e ardhura nga djemtë janë pak më të larta se ato që vijnë nga vajzat.
“Kategoria e parë e raportimeve ka të bëjë me vjedhjen e fotove, videove, për t’i shpërndarë ato në materiale me përmbajtje bullizmi dhe gjuhë urrejtje. Kategoria e dytë ka të bëjë me shantazhet, kërcënimet përmes fotove dhe videove të shpërndara në platformat globale dhe rrjeteve sociale kryesisht në TikTok, Instagram dhe Facebook. Të dyja grupet përbëjnë shqetësim të madh”, thotë psikologia Borjana Dine, analiste pranë platformës iSigurt.al.
Veprimtarët e Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve pohojnë se ende një masë e madhe prindërish nuk janë të vetëdijshëm për këto rreziqe.
Prindërit u sigurojnë me lehtësi fëmijëve të tyre telefona celularë dhe pajisje të tjera për lundrim në internet dhe i lënë orë të tëra vetëm, pa asnjë mbikëqyrje, apo masa parandaluese për t’i mbrojtur ata. Mbrojtja e fëmijëve është e pakët edhe sa i takon aspektit policor e gjyqësor.
“Shqipëria është ndër vendet e fundit në Europë për ndjekjen penale të pornografisë online me fëmijë. Pavarësisht se mund të denoncohen 10 apo 20 raste pranë organeve policore, policia arrin të shpjerë përpara organeve gjyqësore vetëm një rast në vit. Ka një zhbalancim të madh midis realitetit që kanë fëmijët, asaj çfarë raportojnë fëmijët dhe asaj çfarë arrijnë policia, prokuroria të nisin për gjykim”, thotë zoti Hazizaj.
Shqipëria e ka shndërruar me shpejtësi internetin në një nga mediumet kryesore për komunikim, dhe vlerësohet se afro 80 për qind e popullsisë së saj janë tashmë përdorues të tij.
Krahas lehtësirave për shoqërinë, përmes internetit fëmijëve u vijnë rreziqe si dhuna, abuzimi seksual, gjuha e urrejtjes dhe bullizmi online.
Ekspertët theksojnë se Shqipëria ka mangësi të shumta ligjore në këtë fushë, ndërgjegjësim të ulët nga prindërit, mësuesit dhe institucionet mbi rreziqet që u vijnë fëmijëve të tyre përmes internetit./VOA