Nxjerrja e rezultateve të ADN-së me qëllim zbardhjen e disa prej ngjarjeve të rënda kriminale, shpesh herë vonon në mospasjen në dispozicion të reagentëve dhe përbërësve kimikë, që shërbejnë për dhënien e një përgjigje shkencore.
Profilet e ADN-ve të cilat merren në qindra vendngjarje, nuk mund të analizohen jo vetëm për shkak të mungesës së pajisjeve laboratorike, por edhe të përbërësve kimikë që janë shumë të nevojshme në këtë proces.Disa prej ngjarjeve më të rënda kriminale në Shqipëri janë zbardhur pikërisht nga analizat e ADN-së.
Sikundër ka ndodhur se dhe shumë ngjarje të tjera kriminale, vijon të jenë të pazbardhura, për shkak të mungesës së kësaj analize.
Shpesh herë policia Shqiptare, i është drejtuar për ndihmë shkencore autoriteteve të policisë së Kosovës, të policisë Italiane dhe Europol-it, me qëllim kryerjen e analizave të ADN-së për individë të ndryshëm të dyshuar për ngjarje të rënda.
“Ora News” mëson se prej datës 4 Prill 2023, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ka hapur një procedurë tenderuese për blerjen e materialeve dhe reagentëve me qëllim kryerjen e analizave të ADN-së.
Vlera e këtij tenderi kap shifrën prej 180 milion lekë të vjetra, duke synuar që brenda një afati 60 ditor, Instituti i Policisë Shkencore të pajisjet me të gjitha materialet bazike të reagentëve.
Në periudha të ndryshme kohore Instituti i Policisë Shkencore, vuan mungesën e reagentëve kimikë, për shkak të mungesës së blerjeve.
Por një fakt i tillë sjell mungesa të theksuara në zbulueshmërinë e ngjarjeve kriminal njëherësh dhe pengimin e hetimeve që ndiqen nga prokuroritë e ndryshme në vend.
Rasti i fundit ku Policia e Shtetit i drejtohet për ndihmë policisë europiane “Europol” në Francë, është ngjarja e goditjen me 15 plumba të televizionit “Top-Channel”, ku mbeti i vrarë roja i këtij televizioni Pal Kola.
Ndërsa rasti që kishte mbetur peng i mos identifikimit të një ngjarje kriminale për shkak të mungesës së një analize ADN-je, ishte vrasja e të riut Mariglen Gjonaj në Fushë-Kuqe.
Vrasja e Gjonaj ka ndodhur në 18 Maj 2015, por eshtrat e tij u gjetën rastësisht në 3 prill 2022. Në mungesë të kryerjes së analizës të ADN-së, policia Shqiptare, çoi në Kosovë profilet me qëllim zbulimin e identitetit të viktimës.