Luleshtrydhet janë një frut i preferuar për të gjithë, të cilat fatkeqësisht i gjejmë vetëm në disa muaj të vitit.

Nëse dëshironi t’i shijoni natyrale, ose t’i përdorni për të përgatitur ëmbëlsira të shijshme, është mirë t’i ruani luleshtrydhet në mënyrën e duhur. Kështu ju do të ruani shijen dhe cilësinë e tyre.

Para së gjithash, është e rëndësishme të zgjidhni luleshtrydhet e cilësisë së mirë, me një ngjyrë të ndezur dhe që nuk janë ende shumë të pjekura.

Nëse ruhen mirë, luleshtrydhet do të qëndrojnë të freskëta për rreht një javë. E nëse i ruani në frigorifer ato mund të qëndrojnë për muaj të tërë.

Më poshtë AgroWeb.org ju njeh me disa këshilla se si të ruani më mirë luleshtrydhet.

Si t’i ruani në frigorifer

Për të ruajtur luleshtrydhet në frigorifer, zgjidhni një enë të madhe dhe të pastër, prej plastike ose, akoma më mirë, një enë qelqi.

Shtroni në enën e zgjedhur letër kuzhine për të eliminuar lagështinë e tepërt dhe për t’i mbajtur luleshtrydhet sa më të thatë.

Është e rëndësishme ta lini enën pak të hapur në mënyrë që luleshtrydhet të marrin pak ajër. Përndryshe, mund t’i ruani edhe në një kullesë.

Fillimisht luleshtrydhet duhen pastruar. Ju duhet të hiqni kërcenjtë dhe çdo pjesë të dëmtuar.  Më pas vendosini me kokë poshtë, dhe sa më larg njëra-tjetrës.

Nëse keni ndërmend t’i mbani për disa ditë, spërkatini luleshtrydhet me pak uthull, ose zhytini për disa sekonda në uthull e më pas kullojini dhe thajini mirë.

Si t’i ngrini luleshtrydhet 

Nëse dëshironi t’i ngrini luleshtrydhet për t’i mbajtur më gjatë, fillimisht lërini të ngrijnë në një tigan që nuk ngjit. Pasi të kenë ngrirë, hidhini në një enë të mbyllur, ose në një qese me vakum.