Është vënë në prangat e policisë së Shkodrës Lekë Vuksani, i cili një ditë më parë ekzekutoi kushëririn e tij Petrit Vuksani.

Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “Tom Kola”, ku autori shkoi në banesën e kushëririt të tij dhe e qëlloi me automatik, duke i marrë edhe jetën.

Shkak për ngjarjen e rëndë u bë pasi viktimi i kërkoi Lekë Vuksanit, që ti jepte lekët e qirasë, pasi qëndronte në shtëpinë e tij.

Mësohet se viktima kishte vetëm një muaj që ishte kthyer nga Anglia.

Njoftimi i policise:

Shkodër

Pas 21 orësh kërkime dhe ndjekje, Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA, kap dhe vë në pranga autorin e dyshuar të vrasjes së 51-vjeçarit.

Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga shtetasi L. V., 34 vjeç, banues në Shkodër.

Policia gjen dhe sekuestron armën e zjarrit automatik me të cilën dyshohet se autori kreu krimin.

Ky shtetas dyshohet se rreth orës 12:15, të datës 02.05.2023, në lagjen “Tom Kola”, vrau me armë zjarri automatik, në banesë, shtetasin P. V., 51 vjeç.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.